E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi takon Ambasadorin e SHBA në Shkup

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në krye të një delegacioni shqiptar, mori pjesë dje paradite në përurimin e “Qendrës Përkujtimore të Holokaustit” për hebrenjtë nga Maqedonia, që është ndërtuar në lagjen e vjetër të hebrenjve në Shkup, në bashkëpunim me “Fondacionin e Holokaustit” maqedonas. Presidenti Topi u takua dhe shkëmbeu përshëndetje të ngrohta e miqësore me Presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, me Kryeministrin Nikola Gruevski, me homologun malazez, Filip Vujanoviç, me Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, si dhe me mjaft personalitete të tjera pjesëmarrëse në këtë aktivitet. Gjithashtu, Topi zhvilloi një takim me Ambasadorin e SHBA-ve në Maqedoni, zotin Filip T. Riker. Temë e bisedimeve ishte situata në Shqipëri, zgjedhjet e 8 majit 2011, pavarësia e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe stabiliteti në rajon. Kreu i shtetit shqiptar dhe Ambasadori amerikan përshëndetën nisjen e bisedimeve Kosovë - Serbi, si një hap në drejtimin e duhur, si dhe nënvizuan se pavarësia e Kosovës është një realitet i paprekshëm e i pandryshueshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›