Presidenti Topi uron besimtarët bektashinj për Festën e Hashures

Presidenti i Republikës Bamir Topi nëpërmjet një mesazhi drejtuar Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ka uruar të gjithë besimtarët bektashinj shqiptarë për Festën e Hashures.
Në mesazhin e publikuar në faqen zyrtare të Presidecës Topi u bën thirrje të gjithë besimtarëve bektashinj për më shumë paqe, dashuri dhe tolerancë me njëri-tjetrin.
“Për ju sot është një ditë domethënëse kremtimi, Festa e Hashures dhe, në këto momente të gëzimit tuaj të përbashkët, dëshiroj t`ju shpreh urimet e mia më të sinqerta e të përzemërta!
Është vërtetë një traditë e bukur e kësaj date të bekuar në kalendarin islamik, por edhe një vlerë e rrallë njerëzore, e cila tek besimtarët shqiptarë shfaqet me gjithë shenjtërinë e saj, kur vëren shfaqjen e dashurisë dhe të mirëkuptimit për njëri-tjetrin, një qasje më të ndjerë ndaj aktit të ofrimit të ndihmës, shkëmbimit të të mirave, vëmendjen ndaj të moshuarve e ndaj fëmijëve, duke u dhënë atyre më tepër përkujdesje, dashuri e kënaqësi.
Dhëntë Perëndia që dhe viti i ardhshëm të jetë për të gjithë ju një vit i prodhimtarisë, begatisë, i paqes, tolerancës, si dhe i krijimi të familjeve të reja, të lindjes së fëmijëve të shëndetshëm dhe i të gjithë të tjera! Gëzuar Festën e Hashures!” – theksohet në mesazhin e Presidentit Topi.
Dita e Ashures është një ndër ditët e shënuara për besimtarët bektashinj, të cilët me anë të saj adhurojnë dhe i afrohen Zotit. Ajo është një festë e cila fokusohet kryesisht tek profetët, të cilët janë dërguar para profetit të fundit, Muhamedit a.s.
Si dita e Ashures, njihet 10-ditëshi i parë i muajit Muharrem në kalendarin arab. E gjithë bota myslimane e kujton këtë ditë si ngjarjen më të dhimbshme në historinë e njerëzimit. Origjina e festës nis nga Iraku. Në fushën e Qerbelasë, 1400 vjet më parë u masakruan nipi i profetit Muhamed, Imam Hyseni, së bashku me 72 shehid (dëshmorë).