Presidenti Topi zhvillon takim me protagonistë të 20 shkurtit 1991
Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot drejtues të Qendrës Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës, të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, të Shoqatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe të përndjekur politikë, protagonistë të 20 shkurtit 1991, takim ky i kërkuar disa ditë më parë nga vetë ata. Gjatë bisedës, të pranishmit midis të cilëve Gëzim Kalaja, Adrian Kati, Lulzim Braja dhe Sajmir Maloku shprehën mirënjohjen për interesimin që Presidenti i Republikës tregon ndaj shqetësimeve dhe nevojave të të përndjekurve politikë dhe gjithashtu për gatishmërinë e vazhdueshme të tij për takime dhe biseda me përfaqësues kësaj shtrese. Ata e njohën Presidentin Topi me kërkesën e tyre që emërtimi i datës simbol 20 shkurt 1991 të pasqyrojë më mirë anën dhe të vërtetën historike të atij momenti, duke e përkujtuar atë si ditë të shembjes së diktaturës komuniste dhe të nderimit të viktimave të regjimit komunist. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Presidenti i siguroi ata rreth vullnetit dhe predispozicionit të plotë personal dhe institucional ndaj shqetësimeve të tyre, duke u sugjeruar që të ngrenë zërin dhe të ndjekin të gjitha rrugët dhe procedurat e ligjshme institucionale me synim përmbushjen e kërkesës së tyre.