E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, Wollfarth: Dialogu të ketë një rezultat të mirë

 Ai ishte sot në Vlorë, nga ku deklaroi se e vlerësonte shumë procesin e dialogut midis partive politike.

“Po zhvillohen diskutime për kandidatë dhe janë bërë publikë disa emra. Disa njerëz mund të kenë më shumë emra në mendje. Mendoj se ky është një proces shumë i rëndësishëm. Është shumë e rëndësishme që të përzgjidhen një ose disa persona të respektuar dhe, në fund, njëri prej tyre të zgjidhet. Ky proces duhet udhëhequr nga shqiptarët. Për këtë arsye, e vlerësoj së tepërmi dialogun që po zhvillohet, në formate të ndryshme, midis personaliteteve shqiptare, përfshirë atë mes kryetarëve të partive. E shoh si një dialog dinjitoz dhe të rëndësishëm, sepse, në fund të fundit, bëhet fjalë për një vendim të shqiptarëve për numrin një të shqiptarëve. Pra, po zhvillohet një proces i mirë, që, me shpresë, do të çojë në një rezultat të mirë”, theksoi ai.

I pyetur për marrëdhëniet midis institucioneve në vend, Wollfarth theksoi se bashkëpunimi midis Presidencës dhe Kuvendit është shumë i rëndësishëm veçanërisht për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo është shumë e rëndësishme për vendimmarrjen dhe gjithashtu për emërimet e rëndësishme që i nevojiten vendit, veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese. Tre kandidatura kanë mbetur pezull prej shumë muajsh tashmë. Janë propozuar personalitete shumë serioze dhe duhet marrë një vendim në respekt të Presidentit që ka propozuar këta kandidatë. Për shembull, kandidatura e z. Artan Hoxha për Gjykatën Kushtetuese duhet parë si një kandidaturë shumë serioze. Seancat dëgjimore janë zhvilluar disa muaj më parë dhe, meqë Gjykata Kushtetuese nuk është e plotësuar – ka vetëm tetë nga nëntë anëtarë – vendi bosh duhet plotësuar sa më shpejt që të jetë e mundur, ndoshta që javën e ardhshme. Për ne, ky do të ishte një hap shumë i rëndësishëm për funksionimin më të mirë të vendit”, shtoi.

Wollfarth gjatë vizitës në Vlorë zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë së këtij qytetit,  Shpëtim Gjika.

                                                                                             2012-05-11 16:38
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›