E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti: Zgjidhje institucionale për dëmshpërblimin e të përndjekurve

Presidenti Bamir Topi, u ka sugjeruar përfaqësuesve të të përndjekurve politikë dhe të shpronësuarve, që të shprehin e të paraqesin me zë të lartë problemet e tyre. Gjatë një takimi të zhvilluar me një përfaqësi të përbërë nga të shpronësuar dhe të përndjekur politikë nga Shkodra, kreu i shtetit u ka rekomanduar atyre të përdorin rrugët dhe mënyrat institucionale e demokratike për zgjidhjen e problemeve, duke i siguruar gjithashtu që ata do të gëzojnë gjithmonë mbështetjen e tij të pakursyer si personale, ashtu edhe institucionale në cilësinë e Presidentit të Republikës. Përfaqësuesit e të përndjekurve nga Shkodra, familja Serreqi, Bushati, Guraziu, Dani, Gurakuqi, Vocaj, etj, parashtruan shqetësimet dhe problemet e tyre lidhur me vështirësitë dhe pengesat që ndeshin si shtresë shoqërore, si përsa i përket dëmshpërblimit të të përndjekurve dhe viktimave të komunizmit, ashtu dhe çështjes delikate të kthimit të pronave. Kryetari i shtetit theksoi se i ka ndjekur gjithmonë me vëmendje dhe në vazhdimësi shqetësimet e tyre në lidhje me kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe me dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, jo vetëm si detyrim të Institucionit të Presidentit, por dhe si një detyrim moral e personal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›