E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti amerikan falënderon Shqipërinë

Autori i Lajmit: red.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shprehin falënderimet e tyre Shqipërisë për mbështetjen e saj në luftën kundër terrorizmit, gjithashtu ne ju dërgojmë përgëzimet tona me rastin e aderimit tuaj në NATO”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i ka dërguar dje një letër ministrit të Punëve të Jashtme, Lulëzim Basha, ku e ka falënderuar veçanërisht për mbështetjen e Shqipërise në luftën kundër terrorizmit. Kreu i SHBA-së vlerëson takimin me kryediplomatin shqiptar në Kroaci, ndërsa thekson se amerikanët vlerësojnë miqësinë me shqiptarët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të vazhdueshme kanë mbështetur vendin tonë dhe integrimin e tij në NATO e BE. Kjo mbështetje është konfirmuar nga personalitete të larta të SHBA-së, ndër të cilët dhe presidenti Bush. Gjatë vizitës së tij në vendin tonë, kreu i SHBA-së ka vlerësuar arritjet e vendit tonë dhe reformat e nisura në kuadër të integrimit në strukturat euroatlantike.
Letra
”I dashur Lulzim,
Takimi me Ju gjatë udhëtimit tim në Kroaci ishte kënaqësi e madhe për mua. Diskutimet tona ishin produktive dhe thelbësore. Unë jam mirënjohës për lidershipin që vendi juaj ka treguar në përparimin e lirisë. Amerikanët e vlerësojnë miqësinë tonë me popullin e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shprehin falënderimet e tyre Shqipërisë për mbështetjen e saj në luftën kundër terrorizmit, gjithashtu ne ju dërgojmë përgëzimet tona me rastin e aderimit tuaj në NATO”, - thuhet në letrën që Bush i ka dërguar Bashës. Kreu i SHBA-së ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme integrimin e Shqipërisë në NATO. “Shqipëria e Kroacia janë të përgatitura për anëtarësim në NATO. Këto dy vende do të jenë të afta të përballojnë reformat”, - ka deklaruar Presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush në Samitin e NATO-s në Bukuresht. Bush ka theksuar se pavarësisht se Maqedonia nuk ka marrë ftesë në këtë Samit, NATO do të vazhdojë diskutimet me Maqedoninë. Ai vuri në dukje se tani e tutje duhet të punohet për një Evropë të qëndrueshme e të sigurt. Bush ka thënë se Shqipëria dhe Kroacia kanë kontribuar me forca në misionet e NATO-s dhe kanë ndërmarrë reforma sfiduese politike, ekonomike dhe ushtarake. “Shqipëria dhe Kroacia janë të përgatitura të përmbushin përgjegjësitë që mbart me vete pjesëmarrja në NATO. Ato do të jenë anëtare të shkëlqyera të kësaj aleance”, - është shprehur ai. Bush ka theksuar se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia nuk e marrin lirinë si diçka të garantuar, sepse ato e mbajnë ende mend periudhën kur ajo u mungonte. Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e aleancës, tha zoti Bush, mbështesin fuqimisht aspiratat e popujve të tyre dhe zotohen t i mbështesin ato në procesin e reformave të mëtejshme. “Së bashku ne do të vazhdojmë të ndërtojmë një Evropë të qendrueshme, të fortë dhe të lirë. Ne do ta bëjmë rajonin, dikur të trazuar të Ballkanit, edhe më të qendrueshëm. Ne do të demonstrojmë përfitimiet që vijnë duke u vënë në krah të forcave të lirisë”, - është shprehur presidenti amerikan.

Ky lajm është publikuar: 03/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›