E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqiptarëve vazhdojnë t u refuzohen vizat”

Autori i Lajmit: red.
Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla kundërshton deklaratat e bëra nga ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, për liberalizimin e vizave. Sipas tij, panorama e prezantuar nga Basha nuk ishte aspak realiste. “Shqipëria mbetet një nga vendet e rajonit me shkallën më të lartë të refuzimit të vizave, me një mesatare rreth 23 % të totalit të aplikimeve, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 17 %. Konsullatat me shkallën më të lartë të refuzimit të vizave:(Greqia–37 %; Gjermania-24 %; Franca–22 %; Austria–22 %; Italia-11 %)”, - tha ai. Sipas Ballës, nga vëzhgimet e kryera nëpër konsullata të ndryshme, na rezulton se shqiptarët ende nuk kanë shpëtuar nga lista e gjatë e dokumenteve që duhet të paraqesin dyerve të ambasadave. Të gjithë ata qytetarë, që përfshihen në kategoritë e veçanta të Marrëveshjes së Lehtësimit, mund të konfirmojnë se numri i dokumenteve, jo vetëm që nuk është reduktuar, por në disa raste është shtuar. Balla tha se koha e pajisjes me viza vazhdon të mbetet një problem dhe në disa raste tejkalon edhe periudhën për të cilën kërkohet viza. Në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se rritja e kërkesave për viza nuk ka shkuar në raport të drejtë me dhënien e më shumë vizave nga konsullatat e vendeve “Shengen”. “Më lejoni t i kujtoj ministrit të Jashtëm, në zbatim të Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave me BE, duhet të funksionojë një Komitet i Përbashkët për verifikimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Kjo njësi duhet të marrë në shqyrtim ankesat e qytetarëve. Më lejoni gjithashtu t i kujtoj ministrit të Jashtëm detyrimet që ka qeveria ku ai bën pjesë dhe vonesat e pashpjegueshme lidhur me regjistrin kombëtar të shtetasve, kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike”, - thekson Balla. Sipas tij, duhet gjithashtu dhe të ngrihet Qendra Kombëtare e Vizave, të ristrukturohet hierarkia e policisë kufitare, investimet në pajisje dhe infrastrukturë në pikat e kalimit kufitar si dhe të bëhet adresimi i shpejtë i çështjeve që lidhen me emigracionin ilegal, politikat e azilit etj.

Ky lajm është publikuar: 03/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›