E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblimi ditor për paqeruajtësit, qeveria ende asnjë vendim

Autori i Lajmit: Suela Topi
Ministria e Mbrojtjes, brenda fondeve buxhetore vjetore do të përballojë shpenzimet në mbështetje të forcave shqiptare, pjesëmarrëse në operacionin ushtarak të Bashkimit Evropian në Republikën e Çadit dhe Republikën e Afrikës Qendrore

Këshilli i Ministrave mban pezull shpërblimin ditor për paqeruajtësit shqiptarë në Çad. Me një vendim të djeshëm të Ekzekutivit është përcaktuar një fond shtesë për Ministrinë e Mbrojtjes, por ky fond prej 79 milionë lekësh do të përdoret për shërbimet telefonike, kurimin në rast se ka të plagosur mes trupave shqiptarë dhe për festimin e festave kombëtare zyrtare. 90 mijë lekë do të përdoren për shpenzime telefonike për probleme emergjente, 180 mijë lekë për shpenzime telefonike brenda zonës së misionit dhe 1.2 milion lekë për telefonatat satelitore. Për transportin jashtë Çadit të të sëmurëve dhe të të plagosurve, janë vënë në dispozicion 6.2 milionë lekë. Vetëm 200 mijë do të përdoren për festimin e festave kombëtare zyrtare. Ministria e Mbrojtjes, brenda fondeve buxhetore vjetore, do të përballojë shpenzimet në mbështetje të forcave shqiptare, pjesëmarrëse në operacionin ushtarak të Bashkimit Evropian në Republikën e Çadit dhe Republikën e Afrikës Qendrore. Fondi prej 79 milionë lekësh do të përdoret për evakuuim mjekësor strategjik, ndërlidhje strategjike dhe shërbim postar dhe veprimtari të tjera zyrtare. Projektvendimi u dërgua për mendim në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave. Shpërblimi ditor do të jetë objekt i një projektvendimi të veçantë, i cili është duke u përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes. Projektvendimi është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me programin e Forcave të Armatosura për t`u anëtarësuar në NATO dhe bashkëvepruar me strukturat e tjera ndërkombëtare. Me vendim të 7 majit të këtij viti, qeveria jonë vendos të dërgojë trupa ushtarake në Çad. Deri tani, trupat shqiptarë ndodhen në Kabul, Bosnje-Hercegovinë dhe në vende të tjera ku është kërkuar ndihma e NATO-s. Ndërkohë që kryeministri Berisha është shprehur i sigurt se do të firmosë cilëndo marrëveshje që do të vijë në dobi të përfshirjes së plotë të Shqipërisë në NATO. Një ushtarak shqiptar me mision në Bosnje do të marrë në muaj rreth 2000 euro. Në një nga vendimet e Këshillit të Ministrave është përcaktuar që ushtarët shqiptarë, të dërguar në Bosnje-Hercegovinë, në kuadër të operacionit “ALTHEA”, të BE-së të marrin 70 euro, për çdo ditë qëndrimi në këtë mision, përveç pagës mujore që shkon afërsisht në 350 euro. Sipas vendimit të qeverisë, ky shpërblim do të fillojë nga data e dërgimit me mision në Bosnje-Hercegovinë. Efektet financiare të këtij vendimi janë rreth 18 milionë lekë dhe do të përballohen nga buxheti i vitit 2008 për Ministrinë e Mbrojtjes. Përveç pagës mujore, ushtarakët që do të marrin pjesë në këtë mision do të përfitojnë edhe 70 euro në ditë. Propozimi i mëparshëm ka qenë që shpërblimi për një ditë shërbimi të ishte 15 euro. Grupi i Asgjësimit të Municioneve dhe Eksplozivëve, do të përbëhet nga 12 ushtarakë, ku 2 prej tyre janë oficerë, 2 janë ushtarë profesionistë dhe 8 nënoficerë. Në përbërje të këtij grupi do të jetë edhe Komanda e Mbështetjes së Forcave të Armatosura, një personel ky shumë i specializuar dhe i trajnuar në fushën e asgjësimit të municioneve dhe eksplozivëve. Ky ekip ka për detyrë të mbrojë trupat e EUFOR-it, kur ato të dalin në mision, duke evakuuar dhe neutralizuar mjetet eksplozive të pashpërthyera, të improvizuara apo konvencionale. Për arsye që lidhen me shkallën më të lartë të rrezikshmërisë së këtij misioni, propozohet që propozimi ditor për vështirësi shërbimi për ushtarët që do të marrin pjesë në mision të jetë 70 euro.

Ky lajm është publikuar: 03/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›