E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: “Veprimet e fundit, demagogji”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Kuvendi dhe Parlamenti përplasen përsëri, por këtë herë jo për anëtarët e Gjykatës së Lartë, por për ligjin e spiunëve. Kreu i Shtetit, Bamir Topi, nuk e ka mirëpritur letrën, që pak ditë më parë, Kryetarja e Kuvendit i çoi kreut të Komisionit të Ligjeve për marrjen në shqyrtim të 3 projektligjeve për hapjen e dosjve. Topi e ka konsideruar këtë si një demagogji. Ai nuk ka kursyer as kritikat për Ekzekutivin, ndërsa ka komentuar premtimet e saj për ish–të përndjekurit. Kreu i Shtetit i ka konsideruar ato si demagogji dhe mungesë e plotë veprimesh konkrete. Komentet e presidentit Topi u bënë pas shfaqjes të mërkurën të premierës së dokumentarit për gjenocidin mbi elitën e kombit shqiptar nën terrorin komunist. Javën e shkuar, kryeparlamentarja Topalli u shpreh për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.
Topi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ishte dje i pranishëm në shfaqjen e premierës së filmit dokumentar “Gjembat e flakëve dhembin” mbi gjenocidin e ushtruar ndaj elitës së kombit shqiptar nën terrorin komunist në vitet 1945-1951 me skenar të Tomor Alikos, Esat Telitit, regji të Esat Telitit dhe operator Gavrosh Haxhihyseni. Kryetari i Shtetit ishte i ftuar i autorëve të këtij filmi dokumentar, Shoqatës Kombëtare të të Përndjekurve Politikë Antikomunistë, Televizionit Publik Shqiptar si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Në përfundim të veprimtarisë, Presidenti i Republikës iu përgjigj interesimit të medias lidhur me kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ai pohoi se veprimet më të fundit tregojnë se kemi të bëjmë thjesht me demagogji dhe jo veprime konkrete. “Në pasazhet e fundit të këtij filmi mjaft interesant ishte shprehja “për një çast të heshtim ne dhe të flasin ata”. Në mënyrë simbolike, unë kam një grua këtu pranë, është nusja e dajës tim që ka qenë pikërisht në ata të përndjekur që u pasqyruan këtu, por që është vetëm një nga të gjithë ata të persekutuar, të cilët realisht duhet të flasin shumë, por edhe ata që pikërisht flasin në emër të tyre dhe po i konsumojnë edhe kartën morale të fundit këtij problemi që pas gati njëzet vjet demokraci ka shumë demagogji dhe, për fat të keq, nuk ka veprime konkrete”, - theksoi ai. Pak ditë më parë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi marrjen në shqyrtim të tri projekligjeve për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, u ka shpërndarë deputetëve tre projekligjet e dorëzuara në Kuvend para dy vjetësh për këtë çështje, projektligjin e Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Partisë Demokristiane. Tashmë janë caktuar dhe dy relatorët që do të merren me mundësinë për shkrirjen e këtyre projektligjeve në një të vetëm. Ata janë Aldo Bumçi nga PD dhe Arben Isaraj nga PS.

Ky lajm është publikuar: 03/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›