E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti dekoron me “Mjeshtër i Madh” Agron Llakaj

TIRANë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nderoi sot me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, aktorin e mirënjohur të humorit shqiptar, Agron Llakaj, në një ceremoni zyrtare të organizuar në mjediset e Presidencës.
Kryetari i Shtetit i dorëzoi artistit Agron Llakaj urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës të dekorimit me motivacionin “Për kontribut të shquar dhe nivel të lartë interpretativ në krijimin e shumë personazheve artistikë të realitetit shqiptar, të krijuara falë talentit dhe mjeshtërisë së spikatur të këtij autori.”
Pasi shprehu mirënjohjen e veçantë për Presidentin e Republikës për vlerësimin e lartë, Agron Llakaj tha se “ky titull vjen për mua në një moment të veçantë të karrierës sime artistike dhe besoj se do të jetë pjesë e atij angazhimi tim të ardhshëm, jo vetëm timin, por edhe të gjithë artistëve shqiptarë në rrugëtimin e përbashkët sa artistik, por edhe qytetar për të gjithë popullin tone”.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Zëvendësministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Nikollë Lesi, personalitete të fushës së artit e të humorit, miq, kolegë, familjarë të aktorit, etj.
Agron Llakaj ka lindur në qytetin Memaliaj të rrethit Tepelenë, në 24 prill 1960. Studimet e Larta në Akademinë e Arteve i kreu në vitet 1987 -1991. Aktivizimet e tij kanë qënë intensive si i ftuar special në programet e "12 në Hollivud ", "12 vallëzime pa një të shtune " dhe "12 jave rreth fatit" etj. Në transmetimet e spektakleve televizive më të shikuara si ajo e "Telebingo", Llakaj ka qënë prezent prej viteve 1996 -2002.
Ai ka bashkërealizuar filmin "Titaniku'' me TV Klan në vitin 1998 dhe aktualisht është drejtor artistik, prezantues, moderator dhe aktor i spektakëlit të humorit Portokalli ".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›