Presidenti dekoron zyrtarin e SHBA
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, zv/sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Gordon England, me urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu". Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, sekretari i përgjithshëm i institucionit të Presidentit, Aleksandër Flloko, lexoi dekretin e dekorimit. Ky urdhër iu dha zv/sekretarit amerikan të Mbrojtjes me motivacionin: "Për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes midis SHBA-së dhe Shqipërisë, ristrukturimin dhe transformimin e Forcave të Armatosura, si dhe kontributin e dhënë për pranimin e Shqipërisë në NATO". Nga ana e tij, zv/sekretari i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, Gordon England, shprehu falënderimin për nderin dhe vlerësimin e madh që iu bë. Duke shprehur mirënjohjen për mikpritjen që i është bërë në Shqipëri, zoti England u shpreh për vijimin e bashkëpunimit të mirë me Shqipërinë. Në ceremoninë e dekorimit morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ambasadori amerikan në Shqipëri, Xhon Uithers, personalitete të tjera të larta, si dhe stafi i Presidentit të Republikës.