E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti dekreton ligjin e taksave vendore, bllokohet rritja e taksave nga Edi Rama

Presidenti Bamir Topi ka dekretuar disa ligje të rëndësishme, të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë gjatë ditëve të fundit. Disa prej ligjeve që kanë shfaqur debate të ashpra në kampin politik kanë qenë, ligji për taksat, operatorin e katërt telefonik si dhe ligji për planifikimin e territorit. Të tre këto ligje kanë marrë vulën e dekretimit nga kreu i shtetit. Fillimisht miratimi i taksës në Këshillin e Ministrave ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së taksave nga Bashkia e Tiranës, të cilat tashmë janë shndërruar në një gangrenë për kryeqytetasit dhe biznesin që operon në kryeqytet. Bashkia e Edi Ramës e ka kthyer në qëllim në vetvete rrjepjen e qytetarëve dhe bizneseve të Tiranës duke i shtuar taksat me 400 dhe 500 për qind në dy vjet.Shqetësimi i qytetarëve dhe sensibilizimi i bërë nga mediat mesa duket ka detyruar qeverinë shqiptare të marrë masa ndaj ngritjes galopante të taksave. Gjatë mbledhjes së datës 15 prill, qeveria shqiptare ka vendosur ti ngushtojë pushtetit lokal hapësirën për vendosjen e taksave dhe tarifave. Me vendim të Këshillit të Ministrave është miratuar ligji, i cili u vendos një kufi prej 10%, drejtuesve të qeverisjes vendore për vendosjen e taksës mbi biznesin e vogël. Berisha e kishte paralajmëruar një vendim të tillë disa javë më parë, ndërkohë që debatet qeveri-bashki për taksat lokale mbi biznesin e vogël kanë vazhduar. Duke nënkuptuar kreun e Bashkisë Tiranë, Berisha kërkoi që një vendim i tillë të mos merret kurrsesi si karshillëk duke theksuar se nuk mund të pranohet që bashkitë të rrisin çdo vit taksën e pastrimit apo gjelbërimit. Gjatë kësaj mbledhje, kreu i saj, Sali Berisha lajmëroi mbështetjen ndaj këtij biznesi ku organi tatimor qendror, me një Task Force të veçantë, do të shqyrtojë me përparësi çdo ankesë të biznesit të vogël dhe qeveria do të ketë tolerancë zero ndaj abuzimit me të. Sipas tij, qeveria ashtu siç ka bërë këtë ligj, mund të bëjë edhe ligje të tjera për ta mbrojtur atë. Biznesi i vogël është për Shqipërinë sektori më i fuqishëm i ekonomisë. Pavarësisht se kontributi i tij në buxhetin publik është pakrahasimisht më i vogël se biznesi i madh, biznesi i vogël është gjeneratori i punësimi në vend. Në këtë biznes janë të punësuar minimalisht 180-200 mijë shqiptarë. Është rritur në mënyrë të pakonceptueshme absurditeti i tatimit. Pra, taksa dhe tarifa nuk do të ketë më të drejtë të vendosë më shumë se 10 për qind. Organi tatimor qendrorë të shqyrtojë çdo ankesë të biznesit të vogël, u shpreh kryeministri, duke bërë të qartë se duke respektuar problematikën e pushtetit vendor, qeveria ngushton marzhin, duke mos pasur të drejtë të vendosë më shumë se 10 për qind të taksës të biznesit të vogël.
Projektligji Për Planifikimin e Territorit
Projektligji Për Planifikimin e Territorit është dekretuar nga presidenti i Republikës, Bamir Topi. Ky projektligj i përgatitur nga Ministria e Punëve Publike "Për rregullimin e territorit", ka ardhur vazhdimisht në përmirësim. Përmes tij, përcaktohen kriteret për të pasur një hapësirë territoriale dhe të banuar sipas kritereve moderne. Sipas relacionit, në thelb të këtij projektligji qëndron, kombinimi i interesit kombëtar që sigurohet nga autoritetet kombëtare të planifikimit të territorit, me autonominë vendimmarrëse të pushtetit vendor. Ky projektligj ndër të tjera, përcakton qartë kriteret standarde të mbrojtjes dhe zhvillimit të burimeve natyrore, kulturore dhe ekonomike me rëndësi kombëtare. Ndërkohë që garanton kompetencat e qarkut në planifikimin dhe rregullimin e territorit. Gjithashtu jep hapësirë për pjesëmarrjen e publikut, të qytetarëve dhe të aktorëve të interesit në konsultimin e politikave dhe vendimmarrjeve të autoriteteve përkatëse lidhur me rregullimin e territorit.
Miratimi i telefonisë së 4 celulare, objekt debati parlamentar
Projektligji Për dhënien e së drejtës së përdorimit, për 15 vjet, në brezin e frekuencave e GSM dhe GSM 1800, kompanisë PTK, pra futjen e operatorit të katërt celular në tregun shqiptar, i dekretuar nga presidenti Bamir Topi ka shfaqur tepër debat në jetën politike. Gjatë miratimit të tij në Kuvend, kryeministri Berisha duke hedhur poshtë të ligja aludimet për të, ka theksuar se nuk është bërë asnjë lëshim ndaj askujt dhe kompania fituese ofroi çmimin më të lartë. Me nota të ashpra ai akuzoi kryetarin e socialistëve se ngre zërin kundrejt çdo koncesioni që është dhënë në vend duke e quajtur këtë veprim të rrezikshëm. Qeveria zgjodhi që licenca ti jepet për 15 vjet PTK. Kreu i shtetit ka dekretuar mes të tjerash edhe ligjin për miratimin e kontratës së shitjes së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.

Last Updated on Saturday, 09 May 2009 11:10

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›