E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Trefishim investimesh në mandatin e dytë

Turi i Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, Me gratë për një Shqipëri që po ndryshon u ndal në Tepelenë. Gjatë takimit të zhvilluar me gra dhe vajza të këtij qyteti, kryetarja Topalli foli për investimet e kryera në këtë zonë si dhe premtoi trefishimin e tyre në mandatin e ardhshëm të kësaj qeverie. Në mandatin e ardhshëm Tepelena do ketë trefishin e atyre investimeve. Dëgjova për shifra dhe investime të rëndësishme që janë bërë në Tepelenë, janë bërë shumë më shumë seç janë bërë vite më përpara. Shumë mirë që janë bërë. Më shumë do të bëhen. Ju them juve zonja se në mandatin e ardhshëm Tepelena do të ketë 3-fishin e këtyre investimeve, do të ketë më shumë para për të lidhur lagje të tjera me rrugë të tjera dhe për ta bërë Tepelenën ashtu siç e ka emrin të madh, për të cilën ju jeni krenarë, të gjithë shqiptarët janë krenarë, për ta bërë Tepelenën me mirëqenie më të madhe, edhe më moderne, edhe më të bukur, nënvizoi Topalli. Kryetarja e Kuvendit duke iu drejtuar nënave, theksoi se nën koalicionin e djathtë, Shqipëria është vendi më i sigurt për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Kush më shumë se amësia mund të bashkojë? Kush më shumë se sa kujdesi ndaj fëmijës, nga momenti që lind dhe na i venë në krahun tona si nëna dhe pastaj çdo ditë, çdo natë, çdo orë mbi kokën e fëmijës, kur është i sëmurë, kur qan, kur qesh kur ka hall. Ndaj dhe unë gjithmonë kam besuar se ne gratë kemi një gjuhë të përbashkët, vijoi ajo. Topalli u drejtua grave të pranishme në takim se prioritet i maxhorancës së sotme mbetet shëndeti i nënës dhe i fëmijës. Një Shqipëri që është bërë e re pasi ka shkolla të reja, ka një rini të fortë që ka dyfishuar numrin e tyre në universitete. Ne kemi fëmijë të mrekullueshëm ndaj do i mbrojmë ata duke i krijuar mundësitë, kjo është Shqipëria jonë, kjo është Shqipëria e ndryshuar, theksoi kryeparlamentarja gjatë turit të saj. Realizimi sipas saj në mandatin e ardhshëm do të përqendrohet tek dyfishimi i parave për shëndetin e fëmijës, dyfishimi i parave për shkollën e fëmijës, dyfishimi i parave për nënat, të cilave siç e thashë, nuk ka ekonomist tua vlerësojë punën dhe sakrificën gjatë gjithë jetës së tyre. Duke përmendur mbajtjen e premtimeve të kësaj qeverie, Topalli u ndal tek furnizimi me energji dhe ujë të pijshëm për 24 orë në të gjithë qytetet e Shqipërisë. Në këtë drejtim, ajo veçoi projektin e mazhorancës gjatë mandatit të dytë, që është punësimi. Në mbyllje të takimit Topalli u bëri thirrje grave të qytetit të Tepelenës që të votojnë për të djathtën, duke i dhënë mundësi kësaj mazhorance të çojë përpara reformat e ndërmarra.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›