Presidenti i Hungarisë, vizitë në Tiranë
Presidenti i Hungarisë, Laszlo Solyom, nis sot vizitën dyditore në Tiranë. Mbërritja e delegacionit hungarez, i cili kryesohet nga Presidenti Solyom, është programuar në axhendë në orën 10:30 në aeroportin "Nënë Tereza". Presidenti i Hungarisë do të takohet kokë më kokë me homologun e tij shqiptar në Pallatin e Brigadave. Ceremonia zyrtare do të mbahet në orën 11:00 dhe pas bisedimeve bilaterale, dy presidentët do të nënshkruajnë dy marrëveshje mes Shqipërisë dhe Hungarisë. Sipas axhendës së protokolluar për pritjen e Presidentit hungarez, në orën 12:40 do të nisë konferenca e përbashkët për shtyp mes dy presidentëve. Më pas, kreu i shtetit hungarez ka programuar të vendosë një kurorë në monumentin "Nëna Shqipëri", pranë Varrezave të Dëshmorëve. Pas përfundimit të takimit me Presidentin Topi, kreu i shtetit hungarez do të takohet me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, në godinën e kryesisë së Kuvendit. Në orën 14:15, delegacioni hungarez do të niset drejt Bashkisë së Tiranës, ku do të ketë një takim të veçantë mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, dhe Presidentit hungarez, Laszlo Solyom. Pas përfundimit të takimit, kryetari i bashkisë më të madhe të Shqipërisë do t‘i dorëzojë Presidentit Solyom çelësin e qytetit të Tiranës në një ceremoni e cila do të zhvillohet në orën 14:20. Presidenti Solyom do të qëndrojë dy ditë në Tiranë dhe gjatë ditës së nesërme janë programuar në axhendën e tij edhe takime me Kryeministrin Sali Berisha në mesditën e 31 tetorit. Mëngjesin e nesërm, Presidenti Solyom do të niset për një vizitë drejt Sarandës, ku do të takohet edhe me kreun e bashkisë së këtij qyteti, Edmond Gjoka.