E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA del nga recesioni

Ekonomia amerikane ka shënuar rritje në tremujorin e tretë të vitit dhe kjo për herë të parë që nga momenti kur qeveria futi paketën stimuluese për të nxitur konsumin. Të paktën sipas shifrave, thuhet se ka një tendencë pozitive krahasuar me shifrat e dy viteve të fundit. Në këtë mënyrë, të paktën sipas konceptit ekzistues për fjalën "recesion" Amerika mund të konsiderohet e dalë nga recesioni më i rëndë dhe shkatërrimtar i 70 viteve të fundit. Ky lajm është dhënë nga Departamenti i Tregtisë sipas të cilit ekonomia është rritur me 3.5% gjatë periudhës korrik-shtator. Një raport i tillë pati një ndikim shumë të mirë në tregjet e aksioneve dhe kryesisht në Wall Street. "Ekonomia ka dalë nga recesioni më i rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe parashikimet afatshkurtra për ekonominë mbeten të mira", ka deklaruar një analist ekonomik. Rritja ka pasur një shtrirje të gjerë dhe është bazuar gjithashtu në një rritje të konsumit, eksporteve dhe industrisë së ndërtimit. Por për fat të keq, sipas ekonomistëve, forca lëvizëse e kësaj rritjeje ekonomike ka qenë paketa stimuluese që u aplikua nga qeveria amerikane nda bankave dhe sektorit publik. "Ekonomia është tërësisht e varur në deficitin federal dhe stimuli ekomomik nuk është zgjidhja afatgjatë e problemit çka do të thotë se në të ardhmen e afërt duhet që ta bazojmë punën tonë në rigjenerimin real të ekonomisë e jo në stimujt që janë një nxitje artificiale", thotë një eksport i qeverisë amerikane. Shtetet e Bashkuara kanë dalë më vonë se vendet e tjera të zhvilluara nga recesioni, pas Europës dhe Kinës që ka disa muaj që kanë nisur të shënojnë rritje ekonomike. Sipas administratës së Obamës duhet ende shumë punë për të arritur një situatë të qëndrueshme dhe të kënaqshme. "Edhe pse kemi shifra të mira këtë tremujor recesioni vazhdon të mbetet akut për çdo individ, për çdo biznes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha dje sekretari i Thesarit, Geinther. Zëri më pozitiv i rritjes ekonomike ishte shpenzimi i konsumatorëve që në kushte normale zë dy të tretat e ekonomisë aktive. Ky u rrit me 3.4% në tremujorin e tretë ose me ritmet më të shpejta që nga viti 2007. Analistët shpresojnë që këto ritme të vazhdojnë edhe në tremujorin e katërt të vitit për të shënuar një bilanc pozitiv të paktën në gjysmën e dytë të një tjetër viti shumë të vështirë për ekonominë amerikane. Megjithatë, situata nuk mund të konsiderohet aspak rozë, kryesisht për sa u përket industrive të mëdha që vazhdojnë të vuajnë shumë edhe për shkak të ndalimit të linjave të kreditit. Për sa u përket industrive të mëdha, ato vazhdojnë që të dalin me humbje në bizneset e tyre dhe kjo edhe për shkak të tkurrjes së konsumit. Parashikohet që me gjithë shifrat e mira të tremujorit të parafundit, fundviti të karakterizohet sërish nga një tkurrje e blerjeve dhe tërheqje e konsumatorëve. Një fenomen i tillë i rrallë për Shtetet e Bashkuara u vu re dukshëm një vit më parë në prag të festave të fundvitit kur konsumi ra në nivelet më të ulëta të dhjetëvjeçarëve të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›