E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi i Brukselit: grindje

Liderët e vendeve të Bashkimit Europian kanë nisur një takim në Bruksel të ndarë thellësisht për sa i përket një çështjeje që ka të bëjë me të gjithë botën: klimës. Më konkretisht, dasitë janë në lidhje me shumën e parave që u duhet dhënë vendeve në zhvillim që heqin dorë nga një pjesë e industrisë së tyre për të reduktuar përqindjen e emetimit të dyoksidit të karbonit në atmosferë. Ministri i Financave të Polonisë, Jacek Rostowski, deklaroi se vendet e Europës Lindore ishin përgatitur për të bllokuar marrëveshjen derisa vendet më të pasura të kishin vendosur që të jepnin kontributin e tyre të ndershëm në këtë çështje. Kryeministri i Suedisë, Fredrik Reinfeld, i cili në emër të vendit kryesues të BE-së në këtë gjashtëmujor drejton edhe takimin 2-ditor në Bruksel tha se në këtë rast është në rrezik vetë besueshmëria e institucionit të Bashkimit Europian. Liderët e BE-së gjatë këtij takimi do të diskutojnë edhe në lidhje me çështjen e aprovimit të Traktatit të Lisbonës. Bashkimi Europian tenton që të arrijë një pozicion të unifikuar për sa i përket çështjes së financimeve dhe kjo me shumë urgjencë, pasi në dhjetor është takimi shumë i rëndësishëm i Danimarkës që do të pasojë edhe marrëveshjen e Kiotos. Në këtë takim do të synohet përkufizimi i një traktati të ri botëror në lidhje me ndryshimet klimatike. Kryeministri i Suedisë u bëri thirrje liderëve të BE-së që të binin dakord me një shumë fikse që do t‘u hapte rrugë edhe donatorëve të tjerë të pasur si Japonia që të bënin premtime për shuma të mëdha parash. Por vetëm disa orë para nisjes së bisedimeve, Kryeministri i Hungarisë, Gordon Bajnai, tha se ndarja e kostove të ndihmës në mënyrë të barabartë mes të gjitha vendeve anëtare të BE-së ishte jashtë diskutimit. "Barra e ndarjes së parave është e padrejtë dhe aspak e rregullt nëse do t‘i referoheshin propozimit aktual", tha ai. Edhe Kryeministri polak, Jacek Rostowski, deklaroi se vendet e Europës Lindore ishin të gatshme që të bllokonin çdolloj marrëveshjeje nëse kontributi nuk do të ishte sipas mundësive të secilit vend. "Ka vende të tilla si Bullgaria, apo Letonia që janë shumë më të varfra se Brazili dhe që duhet të paguajnë Brazilin për uljen që ai do t‘i bëjë emetimit të gazeve. Kjo është e papranueshme", ka deklaruar ministri polak i Financave. Sipas tij, ai priste që vendet më të pasura të Europës të paguajnë më shumë". Por shumë varet edhe nga Kancelarja gjermane, Merkel. Deri më tani liderja e ekonomisë më të madhe të Europës ka refuzuar që të shprehet në terma numrash, por duket se në takim, Merkel nuk do t‘u shmanget termave konkretë. "Unë dua që takimi i Kopenhagenit të jetë një sukses", tha Merkeli, "por është kyç edhe kontributi i Kinës dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës", ka thënë Merkel.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›