Presidenti i KE-së Barroso, javën tjetër në Shkup

Presidenti i Komisionit Evropian (KE), Hoze Manuel Barroso javën e ardhshme do të qëndrojë për vizitë në Shkup, në kuadër të një turneu ballkanik.
Sipas axhendës së presidentit të KE-së të publikuar në faqen zyrtare bëhet e ditur se vizita në Shkup do të realizohet më 9 prill, ku Barroso pritet të zhvillojë takime me kryeministrin Nikolla Gruevski, presidenti Gjorgje Ivanov, liderin e LSDM-së Branko Cërvenkovski dhe ate të BDI-së, Ali Ahmeti. Edhe ky zyrtar i lartë i BE-së vazhdon të mos takojë krerët e ndonjë partie opozitare shqiptare.
Barroso gjatë turneut Ballkanik që do të nis në 7 prill do të qëndrojë në Zagreb, Sarajevë, Podgoricë, ndërsa janë anashkaluar Tirana, Prishtina dhe Beogradi. Zyra e kreut të KE-së nuk ka dhënë sqarime për anashkalimin e këtyre tre qendrave ku ditëve të fundit ka pasur tensione politike.