Presidenti i Sudanit Mos votoni ndarjen

Organizimi i zgjedhjeve i ka kushtuar komunitetit ndërkombëtar 54 milion euro dhe disa muaj punë, ndërsa referendumi ishte një ndër pikat e vendosura në paqen e vitit 2005, që i dha fund një lufte civile 20-vjeçare mes veriut musliman dhe jugut të krishterë e animist.
Pavarësisht se sipas të gjitha gjasave nesër do të lindë shteti më i ri i botës, presidenti al-Bashir bëri një thirrje të dëshpëruar për bashkim, nga kryeqyteti Khartum.
”Jugu vuan prej shumë problemeve dhe ka qenë vazhdimisht në luftë që prej vitit 1959. Megjithatë, jugu nuk është në gjendje të krijojë për banorët e tij një autoritet të mirëfilltë dhe duke votuar ndarjen, do të votohej për krijimin e një shteti të dështuar që në zanafillë”, deklaroi al-Bashir gjatë mëngjesit për rrjetin “Al Jazeira”.
Në rast ndarje, Bashir kërcënoi minoritetin jugor në Sudanin e veriut se nuk do të lejohet të mbajë dyshtetësinë dhe do t’i duhet të zgjedhë. Një refendum i veçantë do të mbahet në zonën e ndërmjetme dhe të pasur me naftë të Abyei, për të përcaktuar se në cilin rajon do të mbetet.
Al-Bashir kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, për genocide që ndihmoi në vrasjen e dy milion personave gjatë konfiktit sudanez.