Presidenti i ri, kreu i opozitës takohet me ambasadorin amerikan

Kreu i PS-së Edi Rama dhe ambasadori i SHBA-ve Arvizu
Kryetari i Partis Socialiste, Edi Rama, po zhvillon një takim me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Takimi zhvillohet në kuadër të negociatave për zgjdhjen e presidentit të ri. Takimi mes kreut të opozitës dhe ambasadorit amerikan po zhvillohet ne ambientet e selisë së Partisë Socialiste.
Rama ka nisur turin e takimeve për nisjen e procesit të zgjedhjes së një presidenti konsensual. Më parë ai është takuar me kreun e delegacionit të BE-së në Tiranë, Etore Sekui si edhe dy liderët e LSI-së dhe PDIU-së. /F.S/
(vijon)

Idrizi - Rama
Rama: Presidenti i ri, të jetë i paanshëm në zgjedhjet e 2013-s
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama është takuar me kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrimi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi. Kreu i PDIU-së, i cili në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 i përkiste PS-së, u takua me liderin e opozitës për të diskutuar lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri.
Rama, ashtu si edhe në takimin me kreun e LSI-së, shoqërohej nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi dhe në përfundim të takimit ai u shpreh se vendi ka nevojë për një president të dalë nga një proces që i përgjigjet sfidave të Shqipërisë për integrimin në BE.
Duam që të eksplorojmë çdo mundësi për të ndërtuar një proces dhe pastaj nga procesi të shkojmë tek emri dhe jo anasjelltas. Qëllimi ynë është ti përgjigjemi kësaj sfide madhore për Shqipërinë pasi nga mënyra se si do të zgjedhim presidentin e republikë varet statusi i kandidatit, varet rrugëtimi ynë evropian për institucione të pavarura, tha kreu i opozitës. Ai gjithashtu nënvizoi se vendi ka nevojë për një president që në zgjedhjet e ardhshme të jetë i paanshëm.
Pak ditë më parë, Rama u dërgoi letër të gjithë kryetarëve të partive parlamentare, ku i ftonte ata në takim për nisjen e negociatave për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Berisha: Për “presidentin” do flas pas 21 majit

Kryeministri Berisha gjate nje mbledhjeje qeverie / Foto arkiv
Nga ana tjetër pak minuta para nisjes së këtij takimi, Berisha në mbledhjen e qeverisë, u shpreh do të flasë për çështjen e presidentit të ri pas samitit të Çikagos.
“E kuptoj që mendjen e keni te ethet presidenciale po unë këtu jam në mbledhje qeverie dhe do vazhdoj me rendin e ditës. Me presidentin do merrem sa të kthehem nga samiti i Çikagos dhe kam shpjeguar si do procedohet”, tha Berisha.
Ky samit do të mbahet me 20-21 maj. Në bazë të deklaratës së Berishës, kuptohet se kreu i qeverisë do të flasë me nisjen e procedurave parlamentare, që sipas Kushtetutës duhet të nisin para 24 majit, një muaj nga përfundimi i mandatit të Bamir Topit.
F.Stafa