Pasiguritë politike në Greqi tronditin bursat europiane

Bursat europiane
Paqëndrueshmëria politike në Greqi pas zgjedhjeve tronditi dje bursat europiane që kanë njoftuar për humbje të mëdha, si në Paris me -2,78 për qind.
Grekët i besuan votën e tyre kundërshtarëve të masave shtrënguese, ku ndërkombëtarët kanë ngritur dyshimin për vazhdimin e mëtejshëm të planit të shpëtimit të akorduar për Greqinë.
“Tendenca mbetet shumë e paqëndrueshme në Evropë, për shkak të frikës së vazhdueshme përsa i përket situatës në zonën euro, veçanërisht influencës së Greqisë”, theksojnë analistët e ”IG Markets”.
Në mbyllje, bursa e Frankfurtit humbi 1,90 për qind, ajo e Londrës humbi 1,78 për qind dhe Milanos 2,37 për qind. Bursa e Athinës ka vazhduar me rënie të mëdha duke u mbyllur me humbje prej 3,62 për qind pas një humbje me 6,67 për qind një ditë më parë. /Hermes news/
Përgatiti: E.L