E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presioni i PS-së mbi administratën



LSI-ja denoncoi dje dhunën e ushtruar nga lidershipi socialist mbi administratën e pushtetit lokal me kërcënimin e dhunshëm se do të pushohen nga puna, nëse nuk vijnë të protestojnë nga rrethet në Tiranë. Kjo parti akuzoi dje ish-ministrin e Brendshëm, Gramoz Ruçi, për politikën e dhunës dhe i kujtoi atij masakrën e 2 prillit në Shkodër. Për LSI-në, Ruçi është kthyer në ikonë të vjetër të politikës së dhunës verbale dhe fizike, që ende nxin nga hija e 2 prillit. Përmes zv.sekretarit të përgjithshëm, Besian Pesha, LSI-ja denoncoi përpjekjet për dhunë të PS-së të bëra publike nga goja e Gramoz Ruçit, duke manipuluar socialistët se protesta e dhunshme ka mbështetjen e ndërkombëtarëve. Në kushte të tilla, LSI i bën me dije z. Ruçi dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë se ndërkombëtarët e vetëm që mund të mbështesin protestën e tij të dhunshme, ndoshta janë kmerët e kuq kamboxhianë apo Kim Jong-li i Koresë së Veriut. “Ish-ministri i Brendshëm i Partisë së Punës, i kthyer në ikonë të vjetër të politikës së dhunës verbale dhe fizike e që ende nxin nga hija e zezë e 2 prillit, duhet të kuptojë se koha e kmerëve të kuq dhe përmbysjeve të dhunshme ka marrë fund dhe se asnjë prej drejtuesve të Partisë Socialiste nuk mund ta pengojë dot më Shqipërinë dhe shqiptarët që të ecin në rrugën pa kthim drejt liberalizmit të vizave dhe integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”, - deklaroi zyrtari i LSI-së. Z. Pesha vë në dukje se është e patolerueshme që në vend që t’i marrin seriozisht deklaratat e ministrit të Shëndetësisë dhe të kujdesen për shëndetin e qytetarëve, Rama e Ruçi tregojnë se janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetë njerëzish për të arritur qëllimin e tyre ogurzi. Z. Pesha informoi se dhuna e protestës së sotme (të djeshme), ka nisur që në orët e para të mëngjesit, ku me mijëra qytetarë shqiptarë, të cilët punojnë në administratat e bashkive të qeverisura nga Partia Socialiste, janë nxjerrë me forcë nga vendet e punës dhe me dhunë janë detyruar të nisen drejt Tiranës nën kërcënimin e pushimit nga puna apo ndëshkimit ekonomik të tyre. Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Pesha falënderoi të gjithë ata punonjës administrate të bashkive të PS-së që pavarësisht dhunës dhe presionit, kanë vendosur të vazhdojnë t’u shërbejnë qytetarëve. Zyrtari i lartë i LSI-së u bëri thirrje të gjithë atyre që sot ndihen të frikësuar prej Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit se kjo qeveri do të jetë gjithnjë në mbrojtje të tyre dhe të interesave të tyre, prandaj le t’i përgjigjen presionit dhe dhunës me injorim. “PS-ja ka zgjedhur të ndjekë një rrugë të re, atë të terrorizmit politik, prandaj i ftoj të gjithë shqiptarët që të distancohen nga kjo politikë e mbrapshtë, e vjetër dhe e rrezikshme. Dialogu politik në këtë vend bëhet dhe do të bëhet në sallën e Parlamentit, ku edhe e ftojmë rishtazi opozitën që të vijë për të luajtur rolin e saj në reformat e mëdha që po ndërmerren për ta çuar vendin drejt BE-së”, - deklaroi zv.sekretari i përgjithshëm i LSI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›