E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohen 5 projektet e Xhamisë sot shpallet fituesi

TIRANE-Ndërtimi Xhamisë së re në Tiranë dhe muzeut të bashkëjetesës fetare, pjesë e së njëjtës ndërtesë, ka mbërritur në fazën e përzgjedhjes së kompanisë arkitekturore, projekti i së cilës do të implementohet në ndërtim. Kryebashkiaku Edi Rama ka hapur konkursin ndërkombëtar nga ku do të shpallet edhe projekti fitues. Që në fillim Rama theksoi se ky konkurs pavarësisht se zhvillohet në një kohë fushate elektorale, mbetet jashtë kontekstit politik. Ndaj ai nuk ka bërë asnjë fjalim në lidhje me këtë konkurs, por është ndalur vetëm në prezantimin e studiove dhe duke lënë arkitektët përkatës, që të bënin prezantimin e tyre. "Xhamia e re, që në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye nuk do donim të përfshinim në kornizën e fushatës elektorale, apo në debatin politik", - tha kryebashkiaku Rama. Një juri prej shtatë anëtarësh, katër prej tyre arkitekte ndërkombëtarë, do të shpallë fitues të hënën njërin nga pesë projektet e paraqitura. Secila prej studiove kishte dizenjuar projekte shumë të veçanta ku veç elementeve të kultit përmbanin edhe elemente të modernes. Drejtues të Bashkisë së Tiranës kanë sqaruar se "ky është vetëm konkursi për projekt idenë mbi bazën e planit rregullues të qendrës, financuar bujarisht nga qeveria e Kuvajtit. Më pas do të bëhet projekti i zbatimi, procedurat për shpronësim, leja e ndërtimit dhe fillimi i punës, për të cilat bashkia e Tiranës ka gati zgjidhjet ligjore si dhe asistencën e nevojshme teknike për Komunitetin Musliman".
"Andres Perea Ortega-Studio"
Secila prej studiove e bëri prezantimin nëpërmjet skicave dhe imazheve duke sqaruar me detaje projektet e tyre si dhe është dëshmuar nëpërmjet pamjeve se si do të duken dy ndërtesat në hapësirën mbrapa Pallatit të Kulturës, ku ato pritet të ndërtohen. "Andres Perea Ortega" parashikon që në hapësirën e xhamisë, minimalisht dy herë në vit të ketë kapacitet për 10 mijë besimtarë. Ndërsa hyrja në Xhami dhe Muze realizohen përmes Hollit të Madh. Në këtë mënyrë shikohen hapësirat nga të gjithë drejtimet përfshi dhe sheshin "Skënderbej". Në shesh janë parashikuar shatërvanë për marrjen e avdesit. Pjesa më domethënëse e hollit të faljes është edhe Kibla, dhe që aty del edhe gjithë struktura që gjeneron ndërtesën.
"Architecture Studio"
"Është unike kur duhet të bësh dy ndërtesa në të njëjtën kohë Muzeun e Tiranës dhe Bashkëjetesës Fetare dhe Xhaminë e re" - ka theksuar përfaqësuesi i "Architecture Studio", studio kjo që ka hartuar dhe planin e qendrës së Tiranës. Ata i kanë dhënë rëndësi të madhe lidhjes së këtyre objekteve me pjesën tjetër që qytetit me harmoninë e ndërtesave ekzistuese.
"BIG -Studio"
Kjo studio e ka ideuar ndërtesën duke pasur parasysh përforcimin e masterplanit të përgjithshëm. "BIG-studio" krijon një shesh në formën e një hapësire urbane të mbuluar nën ndërtesat rrethuese. Në pjesët anësore janë hapësirat për marrjen e avdesit gjatë pushimeve. Propozojnë që Xhamia të ketë edhe një shesh të zgjeruar të besimit fetar. Sa i përket lutjeve ideja është që fasada e Xhamisë dhe Xhamia të mund të hapet drejt sheshit duke ftuar njerëzit që të hyjnë në të.
"seArch-Studio"
"Duke iu referuar identifikimit kulturor e fetar të këtij projekti, bëmë disa kërkime, për historinë, kulturën në Tiranë. Studiuam disa ndërtesa fetare këtu për të përmbushur të gjithë nevojat e popullsisë moderne" - ka thënë përfaqësuesi i "seArch-studio". Kjo studio ka përdorur një pjesë të projektit të sheshit dhe ka mundësuar bashkëveprim me TOB-in, hotel "Tirana", për të krijuar një lidhje madhështore me Xhaminë.
"ZAHA HADID
ARCHITECTS"
Zaha Hadid është ndër të vetmet arkitekte femra që ka arritur një njohje botërore të këtij niveli falë punës së saj shumë krijuese dhe të karakterizuar fort nga nuanca artistike. Për arsye shëndetësore ajo nuk ka mundur të jetë personalisht, për të prezantuar propozimin e saj për programin e Xhamisë së Re dhe Muzeut të Tiranës e Bashkëjetesës Fetare, prezantimi është bërë nga bashkëpunëtori i saj. Në hapësirën e xhamisë janë ideuar bibliotekat, sallat e studimit të fesë islame. Në hapësirën e muzeut veç sallave të ekspozimit është ideuar edhe një dyqan dhuratash.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›