Prezantohet guida e parë për Shqipërinë
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ambasada e Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri sot realizojnë prezantimin e Guidës së parë për Shqipërinë të publikuar në Spanjë. Prezantimi i Guidës së parë për Shqipërinë në Spanjë nga Ministri i TKRS Ferdinand Xhaferaj dhe Ambasadori Spanjoll Manuel Montobbio bëhet sot në sallën Tefta Tashko në MTKRS. Guida me titull “Shqipëria” e botuar në Spanjë, është shkruar nga dy profesorë të njohur në fushën e historisë, gjeografisë dhe sociologjisë, Prof. Eladi Romero dhe Prof. Salvador Martinez. Botimi, me informacionin që përmban në 74 faqet e tij, nxjerr në pah historinë dhe kulturën e pasur të Shqipërisë dhe Shqiptarëve. Botimi përmban shumë informacion të shoqëruar me foto dhe imazhe mbi gjeografinë, historinë, natyrën, zakonet dhe zhvillimet e fundit demografike e shoqërore në vend. Realiteti i sotëm Shqiptar ofron për vizitorët e huaj Tre Qendra të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të cilat plotësohen nga trashëgimia jashtëzakonisht e vlefshme kulturore shpirtërore, siç janë tradita e këngës iso-polifonike, dizenjo të njohura tekstilesh, dhe lidhjet ekzemplare kulturore ndërmjet besimeve (Xhamitë, vendet myslimane, Kishat Ortodokse dhe Katolike, manastiret, Teqet e Bektashinjve), muret Bizantine, gjurmët e qytetërimit Romak dhe qytetërimeve të tjera të gjitha këto dëshmojnë për pikat e takimit ndërmjet popujve dhe civilizimeve të ndryshme, dhe për një histori të pasur e të ndryshme kulturore e cila ka evoluar përgjatë më shumë se tre mijëvjeçarëve. Ky botim cilësor, padyshim që do të bëjë çdo Shqiptar krenar për vendin e tij dhe potencialin e fuqishëm të turizmit tonë. Në të njëjtën kohë ky është një botim i denjë për një koleksionues botimesh të ngjashme, por edhe për souvenir, si dhe për t’u përdorur nga hotelet e restorantet por edhe nga agjencitë ndërkombëtare dhe institucione te tjera. Ambasada e Mbretërisë së Spanjës ka mbështetur MTKRS në promovimin e imazhit të Shqipërisë si një vendmbërritje tërheqëse dhe unike për turistët dhe vizitorët e huaj.
Dashuri në kohërat e Ali Pashës
Romanin më të fundit, “Jetë të marra peng”, Viktor Canosinaj e çon në një tjetër kohë, në shekullin XIX dhe në pashallëkun e Ali Pashë Tepelenës. Vendosur në një sfond historik, e populluar me figura reale, romani vërtitet në një histori dashurie mes arkitektit italian, Alfonso, dhe vajzës shqiptare myslimane, Velkës. Simbolikisht, përkatësia e ndryshme fetare është vetëm një nga “muret” simbolike që autori ngre në roman. Ndërkohë, duke mbetur brenda kuadrit letrar, Canosinaj ofron një qëndrim të tijin ndaj figurës historike të Ali Pashë Tepelenës. Për të, Ali Pasha nuk është figura heroike e pretenduar e as personazhi që mbart vlera kombëtare e që duhet të rishikohet me objektivitet nga historia. “Jetë të marra peng”, botuar nga “Toena”, është një nga librat letrarë që i propozohet lexuesit në këtë sezon veror.
23 Korrik 2010