E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohet MekLareni i ri Objektivi është fitorja

Formula 1

Prezantohet zyrtarisht MP4-25, makina me të cilën MekLaren do të garojë në Botërorin 2010 të Formula 1. Ky do të jetë një sezon i rëndësishëm për skuadrën britanike, që në pistë do të konkurrojë me dy kampionët e fundit të botës (Luis Hemilton dhe Xhenson Baton): një dyshe pilotësh nga Anglia nuk ishte regjistruar që prej vitit të largët 1968, kur Graham Hill e Xhim Klark ishin shokë skuadre te Lotus. “Aleksandër Gham Bell, njeriu që shpiku telefonin, ka thënë se përgatitja është çelësi i suksesit”, shpjegoi drejtuesi i skuadrës MekLaren, Martin Uajtmarsh. “Duke pasur parasysh një parim të tillë, për këtë sezon jemi përgatitur më shumë se zakonisht. Kjo makinë është krijuar pas mijëra orëve punë”. Por, një makinë sado e mirë nuk është asgjë pa pilotë cilësorë dhe Uajtmarsh theksoi se “jemi shumë të lumtur që gjatë këtij edicioni do të kemi në timon dy kampionët e fundit të botës. Me Xhenson dhe Luis synojmë që të zhvillojmë një sezon të madh. Objektivi ynë është i qartë: kërkojmë vetëm fitoren”. Gjatë prezantimit, Baton tha: “Më pëlqeu atmosfera që gjeta te kjo skuadër, po pres me padurim që të zbres në pistë”. Hemilton, i cili do të garojë për vitin e katërt te MekLaren shtoi: “Makina është rritur, ndihem krenar, sepse kam dhënë edhe unë kontributin tim”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›