E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa si Arsenali

Bakir Burri është emëruar kryetar i ri i Besës, pasi Agim Elshani ka dhënë dorëheqje nga ky post. Ai ndihet i nderuar që do t’i prijë klubit pejan, të cilin e krahason me klubin anglez Arsenal. Kreu i klubit kuq e bardh do t’i blindojë të gjithë futbollistët, derisa konfirmon mbetjen e trajnerit Valdet Shoshi. Nga Valon Konushevci më 30 qershor 2011 në ora 08:42

Pas afro shtatë viteve të kaluara në kryesinë e Besës, Agim Elshani ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të këtij klubi, shkaku i angazhimeve të shumta në bizneset private të tij.

Ndërkohë, pas dorëheqjes së Elshanit, të martën mbrëma Kuvendi i klubit pejan, me shumicë votash, kryetar të ri e ka zgjedhur Bakir Burrin, i cili tash e shumë vite është pjesë e Besës.

Burri ndihet i nderuar me faktin se tash e tutje do t’i prijë njërës prej skuadrave me traditë në futbollin kosovar. Madje, për futbollin kosovar Burri e konsideron Besën të njëjtë siç është Arsenali në Premierligën angleze.

Nën udhëheqjen e tij, Burri thotë se ekipi pejan nuk do të synojë që patjetër ta fitojë titullin e kampionit. Por, ai aspiron që me Besën ta rritë shikueshmërinë në stadiumin ‘Shahin Haxhiislami’.

“Ne synojmë që edhe në edicionin e ri të vazhdojmë të aplikojmë futboll të bukur dhe joshës për shikues. Jemi të interesuar që të aplikojmë futboll cilësor dhe të dalluar prej skuadrave tjera, ashtu siç jemi dalluar deri më tani. Gjithmonë do të luajmë lojë sulmuese për ta kënaqur publikun dhe si rrjedhojë e kësaj, sigurisht se do të vijnë edhe rezultat pozitive”, deklaroi Burri për Express.

“Ne jemi të brengosur me rënien e shikueshmërisë, ashtu siç ka rënë në gjithë Superligën. Andaj, objektiv kryesor kemi që të aplikojmë futboll modern, në mënyrë që t’i tërheqim shikuesit. Besa mund ta bëjë një gjë të tillë sepse për Kosovë jemi si Arsenali. Ky duhet të jetë synimi kryesor edhe për klubet tjera – pra rikthimi i shikueshmërisë – e jo të luftohet me çdo kusht për titull”, theksoi Burri.

Ai tregoi se do të bëjë çmos që në skuadër t’i ndalë të gjithë futbollistët, të cilët me sukses i mbrojtën ngjyrat e Besës në edicionin e kaluar.

“Duam t’i mbajmë të gjithë futbollistët. Ndërkohë, në ekipin senior do t’i inkuadrojmë edhe 4 apo 5 lojtarë të talentuar nga ekipi junior, në mënyrë që ata ta fitojnë përvojën. Ndërsa, nëse sigurojmë mjete shtesë, atëherë sigurisht se do ta bëjmë edhe ndonjë përforcim tjetër”, pohoi ai. Burri konfirmoi se Valdet Shoshi do të jetë trajner i Besës edhe në edicionin 2011/12. “Ai e ka përkrahjen e plotë timen dhe të anëtarëve tjerë të kryesisë së klubit”, përfundoi Burri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›