E Diel, 1 Nëntor 2026

Sipas disa zyrtarëve të lartë, lajmi është i vërtetë

Vëllai i Presidentit të Afganistanit, Karzai, ka mohuar dje lajmet, sipas të cilave ai dilte që kishte marrë pagesa të rregullta nga CIA gjatë 8 viteve të fundit. Gazeta amerikane "New York Times", që citonte zyrtarë amerikanë, deklaroi dje se CIA e paguan Karzain për një sërë shërbimesh, duke filluar që nga rekrutimi i forcave paraushtarake që operojnë nën drejtimin e CIA-s në Kandahar. Karzai, që doli menjëherë pas këtyre lajmeve në një konferencë për shtyp, i quajti ato "qesharake". "Unë punoj me amerikanët, britanikët, kanadezët, të gjithë ata që më kërkojnë ndihmë. Unë nuk e kam idenë se ku i merr CIA rekrutët dhe gjithë ato që thuheshin në artikullin e gazetës amerikane janë qesharake", deklaroi ai në konferencën për shtyp. Lidhjet e CIA-s me Karzain, që dyshohet se është shefi i tregtisë së opiumit në Afganistan, kanë shkaktuar dasi të mëdha në administratën e Obamës. Në Kabul ka qarkulluar prej muajsh lajmi i përfshirjes së Karzait në këtë tregti, por ai i ka mohuar të gjitha lajmet që qarkullojnë. Thuhet se kjo situatë do t‘i komplikojë edhe më tepër lidhjet e Presidentit të vendit me amerikanët, veçanërisht tani që situata është rënduar, për shkak të mosmarrëveshjeve që Uashingtoni ka pasur me Kabulin, për arsye të parregullsive në raundin e parë të votës presidenciale. Vetë CIA, nga ana e saj, nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me artikullin. Ndërsa një zyrtar i Kongresit amerikan deklaroi se historia e gazetës është e saktë dhe se disa kongresmenë kishin kohë që ishin në dijeni të marrëdhënies së Karzait me Shërbimin Inteligjent Amerikan. Afganistani do të votojë sërish më 7 nëntor për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale mes Hamdi Karzait dhe Abdullah Abdullah. Raundi i dytë u vendos pas negociatash të ashpra mes Karzait dhe komunitetit ndërkombëtar, i cili solli fakte se votimet e para nuk i kishin dhënë atij fitoren e plotë dhe se për caktimin e Presidentit të vendit duhej një raund i dytë mes dy kandidatëve kryesorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›