E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti-Balliu, së shpejti përballë prokurorëve

30/09/2011  Pritet pyetja e dy protagonistëve të videos nr. 3 që ndodhet në Prokurori

Hetim videos ku biznesmeni e deputeti flasin për tenderin e skrapit

TIRANE-Deputeti Dritan Prifti dhe biznesmeni Fahri Balliu, pritet të dëshmojnë në Prokurorinë e Tiranës lidhur me videon e përgjimit, ku shfaqet Prifti dhe Balliu, teksa bisedojnë për një tender. Vendimi për pyetjen e tyre duket se do merret së shpejti nga hetuesit e njësisë hetimore Task-Forcë, të cilët momentalisht po shikojnë mundësinë e dërgimit të fletë-thirrjes në adresë të dy protagonistëve të videos. Burimet thanë se lidhur me këtë çështje është pyetur sipërfaqësisht vetëm deputeti Dritan Prifti, kur ky i fundit e ka dorëzuar videon si provë në Prokurori. Ndërkohë që për sa i përket biznesmenit Fahri Balliu, Prokuroria thotë se ai nuk është marrë asnjëherë në pyetje. Zgjatjen e periudhës së marrjes në pyetje të dy protagonistëve, Prokuroria e justifikon me faktin se “çështja mëmë” që ajo e quan dosjen “Meta-Prifti” ende nuk kishte përfunduar në gjykatë, dhe fill pas këtij vendimi njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës filloi veprimet hetimore mbi videon e tretë. Lidhur me këtë çështje për momentin, organi i akuzës po tenton të kryejë transkriptimin e plotë të bisedës, megjithëse hasen vështirësi për shkak se shumë pak fjalë dëgjohen të qarta, për shkak se videoja shoqërohet me shumë zhurmë. Pavarësisht ekspertizave të bëra, specialistët e materialeve video dhe audio s’kanë mundur të bëjnë pastrimin e zërit të dy protagonistëve Dritan Prifti dhe Fahri Balliu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›