Prifti: Qeveria, mbrojtje për investitorët e huaj
Kompania turke KURUM do të fillojë prodhimin e çelikut sizmik rezistent ndaj tërmeteve, një investim me një kosto 16 milion euro. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti zhvilloi dy ditë më parë një vizitë në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit ku u informua lidhur me këtë investim. Në takimin me drejtues të KURUM ai shprehu gatishmërinë e Qeverisë për t’u garantuar investitorëve të huaj mbrojtje të posaçme. “Kam ardhur të vizitoj një nga investitorët e huaj më seriozë, një vend ku punojnë rreth 800 persona dhe të shoh këtë linjë të re që po instalohet për prodhimin e çelikut, që është një investim prej 16 milionë euro. Kam ardhur të përgëzoj përfaqësuesit e kompanisë KURUM dhe të bashkëbisedoj me ta se çfarë mund të bëjë Qeveria më shumë për të mbështetur këto lloj investimesh”, tha ministri. Më tej ai vuri në dukje se investimi i kompanisë turke ka një sërë efektesh pozitive si punësimi, aktiviteti ekonomik, ndikim në uljen e çmimeve të larta të çelikut që vjen nga importi. Sa i përket projektit të ri të KURUM, i cili ka të bëjë me ngritjen e një fabrike për thërrmimin e skrapit Prifti tha se është diskutuar që Qeveria mund t’i ofrojë këtij investitori disa terrene të tjera brenda këtij Kombinati Metalurgjik, ndoshta dhe me skemën ‘1 Euro’.