E Diel, 1 Nëntor 2026

Reformimi i inspektorateve, nga 33 do reduktohen në 12



nertila maho

Ristrukturimi i inspektorateve në vend është konkretizuar në një model të hartuar nga ekspertë, i cili propozon zvogëlimin e numrit nga 33 në 12. Gjatë mbledhjes së Task Forcës për ndryshimet në sistemin e inspektorateve që u zhvilluan dy ditë më parë nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha u dhanë edhe detajet rreth kësaj reforme. Në thelb synohet një numër më i vogël inspektoratesh, i cili do të ketë një Inspektorat qendror. “Ne duhet t’i aplikojmë plotësisht kompetencat që sugjerohen për Inspektoratin qendror, të cilat nuk janë më të mëdha. Grupi i Bankës ka përzgjedhur një inspektorat qendror që do ta quaja të vogël dhe ka përcaktuar kthjelltë e qartë misionin e kompetencat e tij”, u shpreh Berisha. Modeli i reformimit i konkuluduar me asistencë të ekspertëve të Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera në vend është vlerësuar me notat më pozitive nga kreu i Qeverisë duke e konsideruar atë si një reformë, e cila bën të mundur transformimin tërësor të procesit të inspektimit apo inspektorateve në Shqipëri. “Mendoj se rekomandimet e grupit të ekspertëve na mundësuan të përzgjedhim një model që unë e vlerësoj se do jetë një model i vërtetë suksesi”, tha Berisha. Ai theksoi vendosjen e sistemit e-inspektorat në mënyrë që të imponohet një shkallë e lartë transparence. Në këtë pikë ka kërkuar ndihmën e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, të Bankës Botërore, që krahas të gjitha hapave, të ndërtohet edhe sistemi dixhital, si një kusht për transparencë, për luftën kundër korrupsionit apo arbitraritetit. Po kështu kreu i Qeverisë ka kërkuar hartimin e pjesës ligjore që do të garantojë këtë reformim. “Mendoj që brenda muajit prill të fillojë hartimi i ligjit horizontal dhe projektligji të dorëzohet në qershor. Afatet për miratimin e ligjit horizontal duhet të afrohen nga dhjetori, minimumi në tetor, sepse një agoni e zgjatur kërcënon inspektoratet”, ka theksuar Kryeministri. Duke u ndalur edhe një herë tek efekti kohë ai u shpreh se duhet vepruar shpejt sepse situata aktuale e inspektorateve është çmobilizuese për vetë ato. “Duhet që sa më shpejt të ristrukturohen, dhe të miratohet ligji i funksionimit të tyre, skema e organizimit të brendshëm, por edhe pagat e shpërblimet”, u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›