E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: S’do të kemi krizë energjie gjatë dimrit

Prifti theksoi se janë duke u marrë të gjitha masat për riparimin e çdo defekti të mundshëm, në mënyrë që gjatë stinës së ftohtë të mos ketë asnjë ndërprerje energjie.

 Sipas tij, për shkak të rezervave të energjisë do të bëhet e mundur që mos të ketë kufizim energjie në të gjithë vendin. "Kemi 1 miliardë kilovat orë rezervë energjitike, ndaj nuk ka arsye që të ketë kufizim të energjisë. Do kemi energji pa ndërprerje gjatë gjithë periudhës së dimrit", tha ai. 

Ministri tha gjithashtu se po ndërtohet një sistem transmetimi me Malin e Zi prandaj do të ketë stakime të programuara të energjisë. Sipas tij, sistemi i shpërndarjes dhe OST kanë marrë të gjitha masat për të qenë në gatishmëri për shkak të ndonjë defekti nga përkeqësimi i motit. Por, Prifti shpjegoi se edhe pse rreshjet gjatë kësaj kohe kanë qenë shumë të pakta, sërish situata hidroenergjetike në vend është optimale dhe kjo falë krijimit të rezervave të bollshme.

"Situata energjetike në vend është pozitive. Ne kemi krijuar një rezervë hidrike që llogaritet në 1.3 miliard kilovat orë, e cila është optimale. Aktualisht po furnizojmë vendin nëpërmjet prodhimit vendas dhe importit. Rreth 60 përqind e vendit furnizohet aktualisht nëpërmjet prodhimit vendas dhe 40 përqind sigurohet nga importi", është shprehur Prifti.

Ai u shpreh se nuk do të ketë asnjë ndërprerje energjie të paparalajmëruar për qytetarët, përveç rasteve që do të vijnë si rezultat i punës që po kryhet në linjen e interkoneksionit. Nga të dhënat e KESH-it, rezulton se nga hidrocentralet prodhohen rreth 8.5 milion kilovat orë energji në ditë, ndërkohë që 7 milion kilovat orë të tjerë importohen. Konsumi në shkallë vendi llogaritet në rreth 15.5 milion kilovat orë. Por pritet që të rritet gjatë muajve të ardhshëm për shkak të stinës së ftohtë.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›