E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: TEC-i në gusht në prodhim

TEC-i i Vlorës do të vihet së shpejti në punë ndërkohë ai do të futet në një regjim të plotë prodhimi në muajin gusht. Sipas drejtuesve të KESH përllogaritjet e bëra duke marrë në konsideratë kursimin e ujit në Kaskadën e Drinit, edhe pse me kosto 13 lekë për kilovat e bëjnë të leverdishëm prodhimin nga ky TEC.

"Përfundimisht do ta kemi në gatishmëri për në muajt e verës, i cili është parashikuar të punojë në muajt gusht-shtator-tetor. Ky TEC do punojë me ngarkesën nominale të tij, do garantojë tre muaj prodhim, rritje të cilësisë së furnizimit për sistemin në pjesën e jugut të Shqipërisë", tha Muharrem Stojku, drejtor i KESH.

Por duket se vënia në punë e kësaj vepre e para në 25 vitet e fundit në sistemin energjetik nuk po kalon pa probleme. Në emisionin Puls në ALSAT ministri i ekonomisë Dritan Prifti foli për një defekt në provën e parë të vënies në punë.

"Gjatë periudhës së provës, ka dalë që kishte një defekt, sistemi i ftohjes, kishte një problem. Këto punime janë bërë dhe pothuajse më raportohet që është korrigjuar defekti që ka pasur termocentrali", tha Dritan Prifti, ministër i Energjetikës.

TEC-i i Vlorës është e vetmja vepër johidrike që ka Shqipëria dhe që prodhon energji me naftë. Ai është financuar nga Banka Botërore dhe po ndërtohet nga një kompani italiane.

Adi Darsi < I mëparshmi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›