Prifti kërcënon ARMO-n: Paguani punëtorët e hequr
Deri në fund të këtij viti, të gjithë punëtorët e shkarkuar pas privatizimit të ARMO-s duhet të paguhen nga kjo kompani. Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti i ka kërkuar në mënyrë kërcënuese pronarit të kompanisë, Rezart Taçi që të akordojë fondin prej rreth 300 milionë lekësh gjatë ditëve të fundit të dhjetorit. Në të kundërt, sipas letrës zyrtare të firmosur nga Prifti, çështja do të zgjidhet në Gjykatë. Nisur nga reforma e startuar prej më shumë se një viti dhe me largimet e punëtorëve të tjerë, ministri i Ekonomisë kërkon nga drejtuesi i kompanisë private tashmë të naftës të shlyejë të gjitha detyrimet, ashtu siç parashikohet në ligj. Burime të Ministrisë së Ekonomisë bënë të ditur, se vendimi është marrë pas ankesave të ish-punëtorëve të kompanisë ARMO në Fier dhe Albpetrolit në Patos. Detyrimi i kompanisë "ARMO" sh.a për të paguar punonjësit që dalin të papunë nga procesi i ristrukturimit dhe nga procesi i kompensimit financiar parashikohet në piken 1 të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr.261, datë 27/02/2008. Sipas burimeve të ministrisë sqarohet se prej këtij vendimi parashikohet se "Punonjësit e "ARMO" sh.a, dhe "ALBPETROL" sh.a, Patos, që dalin të papunë, si pasojë e ristrukturimit, përveç trajtimeve që parashikohen nga Kodi i Punës, përfitojnë për një periudhë njëvjeçare pagesë sipas pagës bruto mesatare mujore individuale (pagë bazë+vjetërsi), të vitit të fundit të punës. Në përfundim të kësaj periudhe, punonjësit kanë të drejtë të aplikojnë për të ardhurën nga papunësia". Siç është bërë e njohur nga letra e Priftit, marrëdhënia e punës me këta punonjës është ndërprerë nga vetë organet drejtuese të shoqërisë duke krijuar detyrimin e pagës së punonjësve, çka është detyrim i përcaktuar në legjislacionin dhe aktet e funksionimit te shoqërisë, i njohur edhe nga vetë blerësi përpara privatizimit. Gjatë vitit të kaluar, para një sërë protestash nga punonjësit që dolën në reformë, pas privatizimit të kompanisë së naftës. Fillimisht ata u ankuan për largimin e tyre pa marrë parasysh kriterin e përvojës dhe të vjetërsisë, për të futur në punë persona pa dijeni për procesin. Ky largim krijoi dhe probleme me pagesën dhe zgjidhjen e kontratës së punës sipas detyrimeve ligjore.