E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti pjesë e PS-së në këmbim të videopërgjimeve të reja

08/02/2011  Opozita e Bashkuar fton në radhët e saj ish-ministrin e Ekonomisë

Ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti është tashmë zyrtarisht pjesë e Opozitës së Bashkuar. Gjithashtu pritet që në ditët të vijim Prifti të jetë pjesë e grupit parlamentar i Partisë Socialiste. Këto lëvizje u qartësuan, njëkohësisht dhe u zyrtarizuan në tryezën që zhvilloi dje Opozita e Bashkuar. Me sa duket, pranimi i ish-ministrit të Ekonomisë në radhët e kampit opozitar erdhi si këmbim i premtimeve që krerët e majtë morën nga Prifti. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se në këtë tryezë ish-ministri i LSI-së garantoi se disponon të tjera video e dokumente që implikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm kryetarin e partisë në të cilën bënte pjesë deri dje, por dhe kreun e ekzekutivit. Mësohet se Prifti ka kërkuar mbështetjen e së majtës në luftën që ai i ka hapur mazhorancës qeverisëse, përfshirë këtu dhe LSI-në. Në këtë mënyrë, Prifti ka shprehur shqetësimin e tij te krerët e majtë se nuk mund të vazhdojë i vetëm në këtë përballje të ashpër me mazhorancën. Shtuar këtu dhe një tjetër fakt, atë të marrëdhënies së tij me drejtësinë, pasi organet përkatëse kanë nisur hetimet mbi akuzat e ngritura nga Prifti për kreun e LSI-së Ilir Meta. Pas përfundimit të tryezës së Opozitës së Bashkuar, ku merrte pjesë edhe Dritan Prifti, u vendos që ky i fundit të jetë zyrtarisht pjesë e Opozitës së Bashkuar duke iu bashkëngjitur grupit parlamentar të PS-së. Nga ana e tij vetë deputeti Prifti bëri me dije lidhur me pozicionin e tij më të ri në skenën politike. “Prej sot jam pjesë e tavolinës së opozitës dhe do të bashkëpunoj pa asnjë ngurrim, pasi nuk mund të vazhdoja më me LSI-në. Në ditët e ardhshme do të bëj një kërkesë zyrtare për t’u bërë pjesë e grupit të Partisë Socialiste”, - vuri në dukje Prifti gjatë prononcimit për shtyp në përfundim të takimit me kreun e PS-së Edi Rama dhe drejtuesit e tjerë të partive aleate. Njëkohësisht Prifti informoi përfaqësuesit e majtë në takim dhe lidhur me marrëdhënien e tij me drejtësinë. Gjithashtu, referuar situatës aktuale politike, ish-ministri i Ekonomisë nënvizoi se “diskutuam për situatën, për të vazhduar rezistencën paqësore deri në realizimin e zgjedhjeve të reja politike”. Ndërkohë bashkimin e Priftit me të majtën, e konkretisht me Partinë Socialiste, e konfirmoi dhe kreu i PSV-91 Petro Koçi. Sipas tij, prej ditës së djeshme ish-ministri i Ekonomisë do të jetë pjesë e Opozitës së Bashkuar.

Largimi

Deputeti Dritan Prifti u largua nga Lëvizja Socialiste për Integrim menjëherë pas publikimit të videopërgjimit mes tij dhe kreut të kësaj partie Ilir Meta. Po kështu pas publikimit të videos Prifti akuzoi kreun e LSI-së, një nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në parti, si një njeri tërësisht të korruptuar dhe me zgjuarsi nën mesataren. Sipas Priftit, largimi i tij nga METE u bë vetëm që të Ilir Meta të pasurohej duke bërë afera korruptive me tenderat e hidrocentraleve e të tjera. Ishte kjo arsyeja që disa muaj para shkarkimit të ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti ky i fundit kishte ndërmarrë aktin e përgjimit të një bisede të tij me Ilir Metën në zyrën e tij.

Deklarata e Ramës

“S’do të ndalemi në kërkesën tonë për largimin e koalicionit të turpit”

“As sot në ditëvarrimin e viktimës së katërt të dorës së shtetit Saliu, i pari i koalicioni të turpit, nuk reshti së sulmuari opozitën dhe së bëri presion mbi Prokurorinë e mbi shtypin e panënshtruar ndaj tij”, - u shpreh dje kreu i PS-së Edi Rama. Kështu, duke reaguar ndaj deklaratës së ardhur paraditen e djeshme nga kryeministri Berisha, Rama u shpreh se “Saliu na ritregoi se sa e drejtë është kërkesa jonë për largimin e këtij koalicioni të turpit, se sa e drejtë është beteja jonë për t’i hapur rrugë një zgjidhjeve të re për Shqipërinë e marrë peng me votat e vjedhura dhe të vjedhur përditë në pasuritë, në shpresat e në ëndrrat e veta”. Madje, po në këtë linjë, Rama ritheksoi dhe një herë faktin se PS-ja nuk do të tërhiqet nga kërkesa e saj për largimin e kryeministrit Berisha. “Ne nuk do të ndalemi në betejën tonë për liri e të drejta të panegociueshme, nuk do të ndalemi në kërkesën tonë për largimin e koalicionit të turpit, nuk do të ndalemi në përpjekjen tonë për drejtësi e zhvillim në këtë vend, nuk do të ndalemi në rrugën tonë drejt një zgjidhjeje të re për Shqipërinë.”

Tryeza e opozitës

Kreu i PSV-91, Petro Koçi, informoi dje lidhur me diskutimet në tryezën e organizuar mes krerëve të majtë. Sipas tij, ndër të tjera në tryezë u diskutua për aksionin politik që Opozita e Bashkuar do të ndërmarrë me qëllim rrëzimin e qeverisë. “Opozita ka një vizion të ri qeverisës. Në tryezë u diskutua për aksionin politik, me qëllim rrëzimin e qeverisë”, - vuri në dukje Koçi. Nga ana e tij kreu i PDS-së Paskam Milo vlerësoi se opozita do të përdorë mjete të reja për të larguar qeverinë. “Zgjedhjet e reja e nxjerrin vendin nga kriza”, - u shpreh Milo.

Rezistenca paqësore

Në takimin e zhvilluar dje Opozita e Bashkuar diskutoi dhe lidhur me hapat që do të hedhë në ditët në vijim lidhur me kundërshtinë ndaj qeverisjes aktuale. Kështu, gjatë kësaj jave do të zhvillohen protesta në rrethe të ndryshme, por ky takim nuk caktoi se cilat do të jenë konkretisht këto rrethe. Pritet që javën e ardhshme Opozita e Bashkuar të organizojë një proteste të madhe në kryeqytet. Një organizim i tillë pritet të jetë më 20 shkurt, datë e cila përkon me ditën e demokracisë për vendin tonë. Megjithatë, ende nuk ka një vendim zyrtr sa i takon një organizimi të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›