E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për 10 vjet me radhë nën grackën greke të kombësisë artificiale

08/02/2011  Këshilli i Lartë i Drejtësisë inspekton gjykatën e Korçës

KORÇE- Duke filluar që nga viti 2002 e deri më sot, pra për 10 vjet me radhë, rajoni i Korçës ka qenë nën grackën e qarqeve të caktuara për krijimin në Shqipëri të një kombësie artificiale ose e shprehur ndryshe për rritjen artificiale të numrit të anëtarëve të pakicave kombëtare që në këtë rast bëhet fjalë për minoritetin grek. Shumë qytetarë të Korçës tashmë e kanë ndryshuar kombësinë e tyre dhe kjo ka ndodhur ose për shkak të pazareve politike, ose për arsye të tjera personale apo financiare. Mjaft qytetarë të Korçës kanë qenë të joshur materialisht, çka i ka nxitur ata që të ndryshojnë kombësinë e tyre, duke mohuar kështu origjinën e gjyshërve, stërgjyshërve dhe prindërve nga ata vinin. Për herë të parë në historinë e tyre, banorë të këtij rajoni shënuan një akt të turpshëm. Megjithatë, e keqja nuk përfundon këtu: ajo çka është bërë, ka pak gjasa që të zhbëhet. Nga ana e qarqeve të caktuara është punuar me mjaft kujdes, madje duke shfrytëzuar maksimalisht hapësirat që kishte ligji për dokumentacionin e gjendjes civile, ose interpretimin e tij. Vetëm gjatë dy viteve të fundit në gjykatën e rrethit gjyqësor Korçë janë paraqitur 192 kërkesa për ndryshim kombësie. Nëse numri i kërkesave në pamje të parë nuk duket edhe aq i frikshëm, e vërteta është krejt ndryshe, sepse po të llogariten edhe personat e trungut familjar, atëherë ky numër shumëfishohet në disa herë. Kjo gjë nuk ka ndodhur vetëm në gjykatën e rrethit gjyqësor Korçë, por edhe në ato të rretheve Sarandë dhe Gjirokastër, ku shifrat për ndryshimin e kombësisë janë shumë më të larta. Kjo gjë tregon qartësisht se cili ka qenë funksionimi i shtetit shqiptar për 10 vjet me radhë, i institucioneve kushtetuese dhe i diplomacisë shqiptare. Kjo tregon qartësisht se sa të inspektuara kanë qenë gjykatat gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, veçanërisht në këtë drejtim, pra për ndryshimin e kombësisë së shqiptarëve. Fenomenit të cilit i jemi referuar, doli në pah në saj të një inspektimi që do të ndërmerrte në gjykatën e rrethit gjyqësor Korçë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i kryesuar nga nënkryetari i saj, Kreshnik Spahiu

Inspektimi, i vonuar Inspektimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë u realizua ditën e hënë në gjykatën e rrethit gjyqësor Korçë, që më sa duket këtë nxitje e mori nga deklarata e konsullit grek në Korçë, Teodoros Ikonomu, i cili do të shprehej, “se në Korçë ka grek, se vllehet janë grekë, se gurët e varreve janë të shkruara në gjuhën greke etj, etj, çka do të thotë se ky inspektim nga ana e KLD-së duket tepër i vonuar në kohë. Kjo vonesë duket qartë edhe në vetë deklaratën e nënkryetari të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ku ai deklaroi: “Fatkeqësisht në gjykatat shqiptare shihet një tendencë në tërësi e qytetarëve shqiptarë për të ndryshuar kombësinë dhe në tërësi për ta lënë kombësinë shqiptare dhe për të marrë kombësi greke…”. Nëse nuk do të kishte folur konsulli grek, atëherë a do të kishte ndodhur ky inspektim, kur dihet mirë që sa herë Shqipëria pëson tronditje, qarqe të caktuara do të shfaqen për të përfituar sa më shumë që të jetë e mundur. Madje vetë nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, do të shprehej në këtë mënyrë: “Natyrisht në këtë situatë të vështirë politike që po kalon Shqipëria është e tepërt të thuash pse vinë këto zëra…”. Megjithatë, inspektimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pati si qëllim të verifikonte nga afër momentin juridik që kishte të bënte me ndryshimin e kombësisë, me qëllim parandalimin e mëtejshëm të këtij fenomeni që po cenon jo vetëm integritetit e gjyqësorit, por edhe të shtetit shqiptar. Nënkryetarit i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, deklaroi: “Fatkeqësisht Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2002 kishte pranuar një ligj me shumë tolerancë për ndryshimin e kombësisë, gjë e cila nuk lejohej më par녔. Sipas shpjegimeve të mëtejshme të Spahiut, ligji i vitit 2002 krijoi hapësira që ndryshimi i kombësisë të bëhej me vendim gjykate të formës së prerë, kur kishte pasaktësi në dokumentacionin e gjendjes civile, por që në të vërtetë ky ligj duhej të funksiononte për fëmijët që kërkonin ndryshimin e kombësisë, kur njeri nga prindërit kishte pasur kombësi tjetër. Megjithatë, ndryshimi i kombësisë duhej të ndodhte kur fëmija të kishte mbushur moshën 18 vjeç, çka do të thotë se efektet e këtij ligji do të hynin në vitin 2020, por që në të vërtetë nuk ndodhi kështu, sepse gjykatat shqiptare duke e interpretuar gabim këtë ligj i dhanë fuqi prapavepruese. V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›