E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqepet rruga “Kristaq Rama”, nis rikonstruksioni për të dytën herë

08/02/2011  U la në mes në shkurt nga kompania fituese, nisin sërish punimet

DURRES- Janë rikthyer sërish punimet në rrugën “Kristaq Rama” në afërsi të sheshit qendror të qytetit të Durrësit, ndonëse rruga vetëm gjashtë muaj më parë ka përfunduar së rikonstruktuari. Në shkurt të vitit 2009 Bashkia e Durrësit ka dhënë 16.799.985 lekë për rikonstruksionin e kësaj rruge afro 100 m të gjatë dhe 8 m të gjerë. Punimet nisën fillimisht më 20 shkurt, por firma fituese e tenderit për arsyet të mosrënies në të njëjtin mendim me specialistët e bashkisë lidhur me çmimet e zërave të punës është tërhequr. Firma “Euro Ndërtim” i la përgjysmë punimet dhe Bashkia e Durrësit e prishi kontratën dhe ndikoi tek autoriteti i Agjencisë së Prokurimeve Publike, duke e përjashtuar firmën në fjalë për 3 vite nga çdo e drejtë e saj e konkurrimit në tenderë brenda vendi. Aktualisht rruga është shqepur e gjitha nga kryqëzimi pranë bustit të Azem Hajdarit deri tek stacioni elektrik. Shtrimi i sheshit me pllaka guri tek busti ish-deputetit Hajdari dhe të zgjatimit të rrugës nga sheshi “Nako Spiru” drejt hotel “Durrësit” bëri që rruga “Kristaq Rama” të ishte nën nivelin e tyre. Për pasojë drejt kësaj rruge do të derdheshin të gjitha ujërat që grumbulloheshin. Ka plot dy vite që kjo rrugë nuk ka mundur të marrë formën e saj të plotë. Fillimisht nga konfliktet dhe tani nga mungesa e vizionit të specialistëve të departamentit të urbanistikës. Sheshi që ka përfunduar është shtruar me gurë 12 cm të trashë duke bërë që rruga të jetojë gjatë, ndërkohë që ka rënë në sy mospërputhja me rrugët e rrugicat e tjera aty pranë. Fillimisht punimet janë ndërprerë që nga muaji shtator i vitit 2009 për t’u rinisur disa muaj më pas me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes palëve. Lënia përgjysmë e punimeve në këtë rrugë nga firma “Euro Ndërtim”, e detyroi bashkinë që të niste përpjekjet për gjetjen e një firme tjetër për të përfunduar punimet. Disa muaj më pas ka qenë firma “Italalba”, e cila ka nisur punimet në këtë rrugë pas kontratës që është nënshkruar me të për të përfunduar zërat e punimeve të mbetura. Tani çdo gjë do të nisë nga e para. Rruga është shqepur nga kryqëzimi drejt centralit. Poshtë janë shtruar zgara hekuri, janë nxjerrë kuotat dhe kanë përfunduar brezat. Por askush nuk di të thotë nëse do t’i shkohet deri në fund apo jo. Rruga “Kristaq Rama” nis nga lulishtja para bustit të Azem Hajdarit dhe shkon paralel me agjencinë e elektrikut për të përfunduar tek sheshi para stacionit të trenit. Rruga në fjalë ka marrë emrin e babait të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Për të rinisur edhe një herë investimin në këtë rrugë ka ushtruar jo pak presion biznesi përgjatë rrugës. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›