E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Prilli muaji i zi aksidentesh, por edhe me 6 viktima”

00/00/0000  Flet shefi i rrugorëve të Elbasanit pas një bilanci tragjik

ELBASAN - Muaji prill është cilësuar si “muaji i zi” edhe nga policia rrugore, e cila ka pranuar numrin e madh të aksidenteve dhe viktimave në Elbasan. Pas ngjarjeve të rënda, drejtues të policisë lokale, dje kanë deklaruar masat e marra në drejtim të drejtuesve të automjeteve, që justifikojnë edhe përgjigjen e policisë ndaj disiplinimit të qarkullimit rrugor.

Shefi i policisë rrugore, Pren Kushta, ka deklaruar dje, në një intervistë për gazetën “Metropol”, se vetëm gjatë muajit prill janë bllokuar 70 mjete, 67 leje drejtimi dhe janë dhënë 135 vendime komisioni. E krahasuar me muajin mars, numri i masave të dhëna është dyfishuar, ka deklaruar Kushta, duke theksuar se aksidentet fatale në shumicën e rasteve kanë ardhur nga shkelja e rregullave të qarkullimit nga këmbësorët.

Shefi i policisë rrugore, Pren Kushta, përpiqet të shpjegojë edhe disa nga arsyet e këtyre rasteve të aksidenteve të ndodhura gjatë këtij muaji brenda territorit të rrethit të Elbasanit.

A mund të konsiderohen aksidentet e shumta si një rënie e sigurisë në rrugë?

Është e vërtetë që prilli për rrethin e Elbasanit mund të cilësohet si muaji me më shumë aksidente të ndodhura periodikisht. 6 viktima janë një bilanc tragjik, i cili ka vënë në lëvizje të gjitha strukturat e policisë rrugore për të kontrolluar sidomos akset ku janë regjistruar edhe aksidentet. Ne kemi përforcuar patrullat në unazë dhe në autostradën Elbasan- Metalurgji, ku edhe janë regjistruar aksidentet me pasoja fatale. Nga 5 aksidente të regjistruara, në tre prej tyre, faji ka qenë i këmbësorëve, ndërsa dy tjerët drejtuesit e mjeteve kanë tejkaluar shpejtësinë dhe kanë konsumuar alkool. Nuk ka një fenomen të përcaktuar, që mund të konsiderohet shqetësim për komunitetin, por të gjitha këto shkaqe bashkë përbëjnë shqetësimin që ngrihet me të drejtë nga qytetarët. Disa nga këto akse rrugore janë në përfundim e sipër dhe nuk kanë sinjalistikën e domosdoshme, por ka edhe faktorë të tjerë, që kanë lidhje me zbatimin e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit dhe këmbësorët. Nuk mund të them se është ulur siguria në rrugë, por muaji prill mund të konsiderohet si një muaj i zi dhe nuk ka lidhje me gatishmërinë e policisë.

Cilat janë masat që keni marrë për të parandaluar raste të tjera fatale?

Jemi munduar që të disiplinojmë shpejtësinë në akset problematike, të cilat dihen tashmë edhe nga qytetarët e thjeshtë. Kemi vendosur më shumë gjoba maksimale, duke bllokuar më shumë mjete dhe duke dërguar për ndjekje penale edhe më shumë drejtues. Por kjo nuk duhet të konsiderohet si një fushatë e policisë. Gjatë këtij muaji ka patur më shumë shkelje dhe më shumë drejtues, që kanë thyer rregullat e qarkullimit, duke përdorur alkool. Jemi të bindur se masat e marra nuk janë një parandalim total i aksidenteve, por ato i japin një mësim të mirë drejtuesve të automjeteve, të cilët duhet të jenë të bindur ndaj ligjit për të mos përsëritur më pasoja të tilla.

Po qytetarët çfarë roli kanë në regjistrimin e aksidenteve?

Unë përfitoj nga rasti t’i bëj thirrje qytetarëve të zbatojnë rregullat e qarkullimit, duke evituar pasojat, të cilat janë një shqetësim, jo vetëm për komunitetin, por edhe për policinë. Nëse të gjithë do t’i bindemi rregullave të Kodit Rrugor, nuk do të përsëriten më pasojat që kemi parë fatkeqësisht gjatë këtij muaji dhe kjo në të mirë të një qarkullimi normal të automjeteve dhe kalimtarëve. Edhe në ditët e festave, rrugorët janë të angazhuar maksimalisht për të evituar kaos në qarkullim dhe pasoja të rënda, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi aksidente, pasi ngjarjet ndodhin dhe ne jemi të detyruar të marrim të gjitha masat, të studiojmë shkaqet për të evituar pasojat.

Prill 2005

135 masa vendime komisioni

70 automjete të bllokuara

67 leje drejtimi të pezulluara

5 aksidente të rënda

6 persona të vdekur

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›