E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Vendimi, tallje me jetën time dhe me 100 milionë lekët e grabitura”

00/00/0000  Gjykata e Vlorës në fshehtësi vendos

Vetëm 9 vjet e 8 muaj burg për grabitësin e BKT dhe plagosësin e rojes

VLORË - Gjykata e Shkallës së Parë e Vlorës, në fshehtësinë më të madhe, pak ditë më parë, ka dhënë vendimin për dënimin e njërit prej të akuzuarve si grabitës me armë të Bankës Kombëtare të këtij qytetit, më 23 gusht të vitit 2002.

Nën drejtimin e seancës gjyqësore nga gjyqtarja Klodiana Gjyzari, në fshehtësinë më të madhe, kur orari zyrtar i gjykatës kishte përfunduar, mbasdite vonë, shpallet vendimi për dënimin e njërit prej të akuzuarve, Altin Aliaj, me 9 vjet e 8 muaj burg, nga 17 vjet që kishte kërkuar prokuroria.

Ndërkohë, akuzat që rëndonin mbi Aliaj ishin “grabitje me dhunë” dhe “tentativë vrasjeje, me pasojë plagosjen”.

Gjatë kësaj seance, gjyqtarja ishte kujdesur që ajo të zhvillohej me dyer të mbyllura, duke mos lejuar as “personazhet” e ngjarjes, sikurse është roja private i plagosur në këtë ngjarje, Petrit Nelaj, por as të tjerë familjarë, si edhe gazetarët.

Prokurori Dorian Tafili

“Vendimi do të apelohet, kemi prova...”

Prokurori i çështjes, Dorian Tafili, lidhur me këtë vendim të gjykatës bëri të ditur se, “ne, si organ prokurorie, kërkuam 17 vjet burg dhe jemi në një fakt të tillë që unë nuk mund të bëjë komente, pasi nuk më lejohet nga ana juridike. Por patjetër që vendimi do të apelohet”.

Prokurori Tafili është i bindur se ekzistojnë gjithë provat e nevojshme për këtë vepër, kur edhe vetë i dënuari e ka pranuar këtë.

Roja i plagosur Petrit Nelaj, akuzon drejtësinë

VLORË - Petrit Nelaj, ish-roja i Bankës Tregtare në Vlorë, e cila u grabit nga disa persona me maska dhe të armatosur, denoncon drejtësinë, e cila, sipas tij, nuk ka dhënë dënimin e merituar për një nga vjedhësit e saj me armë, nga ku edhe vetë ish-polici shpëtoi nga vdekja e sigurt, pas dis plagëve të marra.

Është një rast i rralë ky, kur një ish-roje private denoncon para mediave një fakt të tillë.

“Jam mjaft i pakënaqur nga kjo gjykatë, thotë polici Petrit Nelaj. Më kujtohet ajo ditë e keqe për mua, kur para bankës, në qendër të Vlorës, më vijnë tre persona me maska e më thonë ‘barkas se të vramë po lëvize’”.

Nelaj, i revoltuar nga ajo ç’ka vendosur gjykata, kërkon ta dërgojë çështjen më lart, ku shpreson se strukturat e tjera në Tiranë do ta marrin më seriozisht.

Roja, që për pak mbeti i vdekur, ndjehet i dëshpëruar kur njoftohet se autori, që e goditi për vdekje në krye të detyrës dhe grabiti bankën, është dënuar në fshehtësi vetëm 9 vjet e 8 muaj burg. Ngjarja ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2002. Nelaj thotë se që prej asaj dite vuan gjymtimet, si pasojë e plumbave, të cilët i prekën kraharorin dhe kokën.

“Kur u arrestua njeri, u qetësova dhe thashë se drejtësia do të thotë fjalën e saj. Por nuk ndodhi kështu“, thotë polici, i dëshpëruar në një intervistë për gazetën “Metropol”.

Zoti Nelaj, jeni një nga viktimat e vjedhjes më armë të bankës Tregtare…?

Po, kam qenë roje i bankës dhe gjatë punës sime, në gusht të vitit 2002, banka u vodh me armë nga tre persona, ku unë në përpjekje për t’i ndaluar u plagosa rëndë.

Si ndodhi ngjarja?

Ka qenë ora 10.00 e paradites, kur në hyrjen e bankës u shfaqën tre persona me maska, të cilët më thanë: ‘Ule armën dhe shtriu barkas’. Atë gjë bëra, por duke përfituar nga një hutim i vjedhësve, të cilët në atë moment merreshin me sportelistët, unë u përpoqa të çarmatosja një nga vjedhësit. Reagimi i njërit prej tyre ishte i menjëhershëm, duke më qëlluar me dy plumba. Njëri plumb më kapi në kokë e tjetri në shpatull, afër zemrës.

Ju i njohët ata?

Jo, por ata më njohën mua.

Po në fazën e hetimeve e ke njohur të akuzuarin?

Nga disa tipare po. Por, nuk mund të them saktë, pasi kuptohet pamja e mbuluar e vështirëson disi njohjen. Unë jam polic i vjetër dhe e kam pasion këtë profesion. Mos harro se kam punuar me policinë edhe gjatë viteve ’97-’98 dhe e njoh mirë krimin, dhe jo rastësisht më paralizuan mua.

Pse nuk ishit i pranishëm në sallën e gjyqit?

Në sallë, gjyqtarja nuk pranoi as njerëzit që vuajtën nga ajo ngjarje, por as gazetarët, që ishin të pranishëm në korridor. Dhe qëllimi i vetëm ishte i qartë. Të mbahej larg opinionit ky gjyq. Çështja është zhvilluar mbasditen vonë, edhe pse orari ishte paradite. Unë këtë fakt do ta denoncoj edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, pasi nuk kam besim te drejtësia në Vlorë.

Jeni i kënaqur nga vendimi ndaj të akuzuarit Altin Aliaj, të dyshuarit e të dënuarit për vjedhjen e BKT?

Jam mjaft i fyer njëkohësiht. Pasi gjykata e ka mbajtur të fshehtë dënimin e shtetasit në fjalë. Unë ju betohem vetëm para dy ditësh kam mësuar se ai është dënuar vetëm 9 vjet e 8 muaj burg. Ky është një skandal, do të thosha unë. Si ka mundësi që gjykata dënon një kriminel me kaq vite burg, kur prokurori i çështjes, Dorian Tafili, ka kërkuar 17 vite me burg. Dua të di me çfarë pretendimi lehtësues është vendosur nga gjykata. Kur në bankë vidhen plot 100 milionë lekë me dhunë e armë, kur vriten punonjës në krye të detyrës, dhe kur vjedhja është kryer në bashkëpunim.

Gjithsesi, ky është dënimi që u vendos për atë?

Dua t’ju them se unë nuk e lë me kaq këtë punë. Kam bërë kallëzim civil për zhdëmtimin tim nga i akuzuari tashmë që ai u shpall fajtor. Por, edhe çështjen penale unë do ta dërgojë deri në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi kjo është një tallje e plotë ndaj një çështjeje të tillë që pati aq reagim qytetar.

Emrat e tjerë të grabitësve a i njihni?

Jo, por besoj se policia e prokuroria i ka shpallur gjatë hetimeve. Çfarë rëndësi ka kur për një vepër të tillë gjykata jep këtë vendim qesharak. Çfarë pret për të tjerët, që thuhet se kanë vdekur.

Një vit më parë, u arrestua Altin Aliaj

Në prill të vitit 2004, u prangos nga policia Altin Aliaj. Pas pyetjeve të para, ai pranoi para kolegjit penal se kishte qenë ai autori i kësaj vjedhjeje, por nuk do t’i tregonte asnjëherë bashkëpunëtorët e tij. Pas kërkesës së akuzës, ai u la në “burg pa afat”.

Mbi të rëndojnë dy akuza njëherësh, ajo e “grabitjes së një banke”, dhe e “vrasjes së mbetur në tentativë”.

Më pas, ai u shoqërua për në qelitë e paraburgimit të Vlorës, qyteti në të cilin ka kryer veprën penale.

23 gusht 2002

Grabiten 100 milionë lekë, plagoset roja e BKT

VLORË - Grabitja e Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) në Vlorë, ndodhi rreth orës 10.00 të datës 23 gusht 2002.

Grabitës të armatosur e me maskë, nën forcën e terrorit dhe kërcënimit vodhën rreth 100 milionë lekë (të vjetra) të bankës, e cila po atë ditë rastësisht nuk i punonin edhe kamerat e vendosura në ambientet përreth saj, as alarmi i bankës, por as sinjali i policisë në sallën operative. Sinjali i alarmit, i cili deri një ditë më parë funksiononte në rregull, ka filluar të funksionojë, 30 minuta pas momentit të largimit të grabitësve, pasi ata morën me vete 100 milionë lekë.

Grabitësit, të cilët mendohet të kenë qenë tre, hynë brenda dhe ndërsa njëri ju drejtua rojes, Petrit Nelaj, dy të tjerët iu drejtuan sportelit të bankës. Njëri prej tyre u fut brenda sportelit, me armë në dorë. Në tentativë të rojes, për të çarmatosur njërin prej grabitësve, ky, grabitësi, e qëllon me pistoletën që mbante në dorë, ndërsa plumbi kapi shkaras në kokë, rojen, duke e plagosur. Pas kësaj edhe një tjetër goditje i shkaktoi sërish plagë në shpatullën e majtë rojes. Pas grabitjes, maskat e armatosura dolën nga banka.

Ata morën paratë dhe braktisën një nga autoveturat tip “Benz” para kishës katolike të qytetit, duke lënë aty maskat, fishekë e gjurmë gishtash

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›