Vrasja në lokal, kërkohen dy vëllezër
SHKODER - Policia e Shkodrës zbardh krimin që i mori jetën Nadir Qukut dhe shpall në kërkim autorët. Dy vëllezërit Ilir dhe Basri Baba janë akuzuar për vrasjen e 40-vjeçarit, në një lokal afër Piacës në Shkodër. Sipas burimeve zyrtare të Shkodrës, dy vëllezërit Baba, banorë të Mjedës, kishin pasur një konflikt të çastit me një klient të lokalit, Ndriçim Harushën. Në përplasje e sipër, ata kishin nxjerrë pistoletat dhe në tentativë për të qëlluar Harushën plumbat zunë aksidentalisht Qukun. Policia e Shkodrës nisi hetimet për krimin, duke gjetur në vendngjarje plot 11 gëzhoja pistolete. Plumbat janë shpërndarë në të gjithë lokalin, por ndërsa Harusha ka mundur të shpëtojë, nuk ka pasur fat klienti i rastit, Quku. Për të ndihmuar policinë në këtë çështje, mbërriti në Shkodër dhe nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi. r.d