E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prioritet, Premierliga

Rafael Benitez ka njoftuar se synon të kthehet në Premierligë. Trajneri spanjoll preferon të punojë në Angli, pas largimit nga Inter në dhjetor të vitit të kaluar. Sa i përket ish skuadrës së tij të cilën e drejtoi në Premierligë, Liverpool, ai beson se Kenny Dalglish do t’i bëjë mirë skuadrës dhe mbron politikën e transferimeve gjatë qëndrimit të tij në Anfield. Nga Express më 24 janar 2011 në ora 09:52

Ish menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, ka thënë se dëshiron të kthehet në futbollin anglez, pas përfundimit të aventurës shtatëmuajshe në drejtim të Interit.

Benitez kaloi gjashtë vite në Anfield para se të kalonte në Itali gjatë verës së vitit të kaluar, ndërsa familja e tij është ende në Merseyside.

“Prioritet është Premierliga”, tha spanjolli për BBC Radio 5 live. “Të kem një projekt, një plan biznesi, një metodologji të asaj se çka dëshiroj të bëj dhe si të përmirësoj një klub. Duhet të jetë një klub i mirë”, shtoi ai.

Gjatë kohë sa Benitez ishte në drejtim të ekipit, Liverpool fitoi Ligën e Kampionëve më 2005 dhe FA Cup më 2006, ndërsa ishte finalist në Ligën e Kampionëve më 2007 dhe nënkampion në Premierligë më 2008-09.

Por, sezonin e kaluar ata përfunduan në pozitën e shtatë, duke mos arritur të kualifikohen për në Ligën e Kampionëve. Benitez u largua nga Anfield Road në marrëveshje të përbashkët në qershor, ndërsa brenda një jave u angazhua nga kampioni në fuqi i Evropës, Inter, si pasardhës i Jose Mourinhos, i cili kishte kaluar në Real Madrid.

Por, qëndrimi i Benitezit në Giuseppe Meazza ishte i shkurtër. Edhe pse udhëhoqi ekipin drejt triumfit në Superkupën e Italisë dhe Kampionatin botëror të klubeve, rezultatet dëshpëruese në Ligën e Kampionëve dhe Serie A sollën largimin e tij para Vitit të Ri.

Rezultatet e Liverpoolit nuk janë përmirësuar pas largimit të Benitezit nga Anfield dhe aventura e shkurtër e Roy Hodgsonit u përcoll me emërimin e Kenny Dalglish si menaxher deri në fund të këtij sezoni. Por, Benitez beson se Dalglish do të përmirësojë Liverpoolin.

“Do të jetë më mirë me Kennyn, sepse ai e njeh klubin dhe e di se çka kërkojnë tifozët”, u shpreh Benitez. Dalglish fitoi tetë tituj në ligë si futbollist dhe menaxher me Liverpoolin nga 1997 deri 1991.

“Ai mund të flasë me futbollistët dhe ata do ta ndiejnë dhe kuptojnë se çka do të thotë të jesh futbollist i Liverpoolit. Mendoj se Kenny ka qenë emërim i mirë dhe shpresoj të jetë i suksesshëm”, vazhdoi ai.

Benitez ishte kritikuar për kualitetin e ekipit që la pas tij, por spanjolli mbrojti politikën e transferimeve gjatë qëndrimit të tij në Anfield.

“Ne e dimë se kemi bërë disa gabime. Nuk jemi të kënaqur me disa prej përforcimeve. Por, jam vërtet i kënaqur me shumicën prej tyre, sidomos nëse analizoni ekipin tani. Pepe Reina, Glen Johnson, Martin Skrtel, Daniel Agger, Fabio Aurelio, Lucas, Fernando Torres, Maxi Rodriguez dhe Dirk Kuyt. Është një ekip i madh. Vlera e skuadrës është e mirë. Ne transferuan Xabi Alonson. Luis Garcian, Javier Mascheranon e Yossi Benayon, ndërsa u desh të shisnim për të blerë futbollistë të tjerë”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›