E Diel, 1 Nëntor 2026

Prioritetet e presidencës spanjolle - liberalizimi i vizave për shqiptarët dhe afrimi i procesit të anëtarësimit

Ambasadori i Spanjës, vendi i të cilit ka kryesimin e BE-së ka zbuluar dje në Tiranë prioritetet e presidencës. Ambicia për të realizuar heqjen e vizave brenda këtij gjashtëmujori, kryefjala e aksionit politik të ekzekutivit spanjollPresidenca spanjolle e Bashkimit Evropian ka prezantuar dje në Tiranë prioritetet e 6 mujorit në vijim, të politikës së Brukselit kundrejt vendeve potencialisht kandidate për proceset e integrimit evropian. Një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet liberalizimit të vizave Shqipëri-BE, çështje kjo që ka marrë përmasa të rëndësishme në diplomacinë evropiane, për shkak të kushteve të realizuara nga autoritetet shqiptare dhe vendimmarrjes së afërt me Komisionin Evropian. Kësisoj, në prioritetet e presidencës spanjolle, muaji shkurt shihet si muaji vendimtar për qeverinë shqiptare në përpjekjen për të fituar liberalizimin e regjimit të vizave. Gjatë shpalljes së prioriteteve të presidencës spanjolle, ambasadori i Spanjës Emmanuel Montobio, ka shprehur mbështetje për ecurinë e procesit të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë dhe ata të Bosnje Hercegovinës, dhe njëherazi ka theksuar se më të sigurt dhe të palëkundshëm këtë proces e bën zbatimi i kërkesave të udhërrëfyesit të liberalizimit të vizave që do të monitorohet nga 2 misione të reja që do të vijnë në Tiranë në muajin shkurt. Sipas ambasadorit Montobio pasi këto misione të vëzhgojnë në terren arritjet e Shqipërisë, këshilli do të marrë vendimin.“Vendi juaj tashmë ka prezantuar kërkesën për statusin e vendit kandidat. Por çelësi i procesit integrues është që Shqipëria duhet të përmbushë rekomandimet e Progres raportit dhe po u arritën këto, çdo gjë do vijë në mënyrë të natyrshme. Përmbushja e standardeve për liberalizimin e vizave është një tjetër kriter shumë i rëndësishëm, sikundër dhe përgjigjet e pyetësorit, afati i dorëzimit për të cilin është data 31 mars”, u shpreh ai.Ndërkaq ambasadori spanjoll e ka vlerësuar si mjaft të rëndësishëm harkun kohor nga viti 2010 deri në vitin 2011 për aspiratat e Shqipërisë për integrim në BE, duke veçuar edhe 3 prej datave më të rëndësishme në këtë axhendë.Në kuadër të prezantimit të programit të kësaj presidence, kryediplomati spanjoll në Tiranë Emanuel Montobio, vendi i të cilit e mori kryesimin më 1 janar të këtij viti, tha se politikat e zgjerimit, do të jenë objektiv për të gjitha ato vende që duan të integrohen në familjen europiane.“Politikat e zgjerimit janë jo vetëm një objektiv, por dhe perspektivë për të promovuar metamorfozën, ndryshimin e disa shteteve që do të promovohen dhe që duan të integrohen në shtëpinë tonë të madhe europiane. Dhe këtu dua të them se programi për zgjerimin përqendrohet si tek vendet që e kanë fituar tashmë statusin e vendit kandidat. Ne duam që të përfundojmë negociatat me Kroacinë, hapjen e kapitujve të rinj me Turqinë dhe të nisim negociatat me Maqedoninë, por kemi dhe një grup vendesh, që kanë kërkuar të marrin këtë status siç është Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi dhe angazhimi ynë është që të promovojmë ecurinë e këtij procesi dhe gjithçka ka të bëjë dhe me liberalizimin e vizave me Shqipërinë”, u shpreh ai. Takimi i Zagrebit, tha Montobio është një rast pozitiv për Shqipërinë, vendi që sipas tij ka ndjekur një politikë të fqinjësisë së mirë në rajon. Në një rrafsh më të gjerë presidenca spanjolle pritet të fokusohet në zbatimin e Traktatit të Lisbonës dhe në përballimin e pasojave të krizës ekonomike.Edhe kryeministri spanjoll Jose Luis Zapatero, duke përcaktuar direktivat e 6 muajve në vijim, ka deklaruar se Brukseli do trajtojë në tërësi koherencën e institucioneve të BE me ato që pritet të formalizojë Traktati i Lisbonës. Zapatero është shprehur për zgjerimin e Unionit, duke marrë për bazë projektin e Athinës zyrtare, e mbështetur kjo edhe nga Uashingtoni....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›