E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishja e marrëdhënieve, negociata të fshehta Moskë-Pekin

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Moskë, 13 nëntor 1964 – Kryeministri komunist kinez, Çu En Lai, u kthye në shtëpi ditën e sotme nga samiti i parë kino-sovjetik këto tre vjetët e fundit. Nuk pati asnjë shenjë marrëveshjeje për çështjet kryesore që ndajnë dy fuqitë komuniste, apo të paktën të një marrëveshjeje tjetër që do tu hapte rrugën mundësive të zhvillimit të bisedimeve të tjera. Një komunikatë e përbashkët e lëshuar pas javës së bisedimeve të kryeministrit kinez me udhëheqësit sovjetikë tha vetëm se “bisedimet u mbajtën në një atmosferë të sinqertë dhe miqësore”. Diplomatët, të cilët ishin të pranishëm në momentin e largimit të Çusë drejt Pekinit në aeroportin e Moskës, thanë se ky i fundit ishte i ngrysur teksa shtrëngonte duart për herë të fundit me mikpritësit sovjetikë.

Pjesët e hequra nga komunikata

Nga komunikata që u lëshua menjëherë pas përfundimit të bisedimeve kino-sovjetike u hoq çdo përmendje e tre pikave kryesore në të cilat vëzhguesit kishin mbështetur shpresat për të parashikuar zhvillimet e mëtejshme të marrëdhënieve kino-sovjetike. Njëra nga këto pika ishte shtyrja ose rikonfirmimi i takimit të 26 partive komuniste në 15 dhjetor i propozuar gjatë rrëzimit të regjimit të Nikita Hrushovit, dhe që kishte për qëllim përgatitjen e një konference botërore të partive komuniste në vitin 1965. Pika e dytë ka të bëjë me përmendjen e një takimi tjetër si në nivel qeveritar ashtu edhe në nivel partiak mes rusëve dhe kinezëve, por kësaj radhe në Pekin. Më herët këtë javë burime të mirinformuara nga Moska treguan se kishte një marrëveshje për zhvillimin e mëtejshëm të bisedimeve në kryeqytetin kinez. Së treti, nuk u bënë publike provat e një përmirësimi të marrëdhënieve mes dy qeverive për çështje si tregtia, të drejtat e transitit dhe ndihma teknike. (Për çështjen e zhvillimit të bisedimeve të mëtejshme sovjeto-kineze, gazeta komuniste italiane në Romë, “LUnita” shkruante: “Qarqe përgjegjëse të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik të pyetura nga ne, pohuan deri në këto momente se zërat që kanë qarkulluar së fundmi në Moskë për një marrëveshje në parim që mund të jetë arritur nga delegacioni kinez dhe udhëheqësit sovjetikë për rifillimin e kontakteve bilaterale të ndërprera që prej verës së vitit të shkuar, janë të pavërteta...”). Deklarata e sotme për takimet kino-sovjetike lëshuar nga “Tass”, agjencia sovjetike e lajmeve, tha se i gjithë delegacioni kinez i përbërë prej shtatë vetash, kryesohej nga kryeministri kinez, Çu En Lai, i cili ishte pjesë e këtyre bisedimeve. Pala sovjetike përbëhej nga udhëheqësi i partisë sovjetike, Leonid Brezhnjev, kryeministri Aleksei Kosigin, Presidenti i Presidiumit, Anastas Mikojani, Nikolai Podgorni, një anëtar drejtues i Presidiumit të Partisë Komuniste Sovjetike, Juri Andropov dhe Boris Ponomarev, që të dy ekspertë në marrëdhëniet me partitë e tjera komuniste dhe ministri i Jashtëm sovjetik, Andrei Gromiko.

Mungon Suslovi

Një mungesë që binte menjëherë dukshëm në sy ishte ajo e Mikhail A. Suslovit, ideologut më të mirë sovjetik, i cili ishte autor i sulmeve më të ashpra kundër Pekinit në kohën e Nikita Hrushovit. Çu erdhi këtu në Moskë zyrtarisht për të marrë pjesë në festimet e javës së kaluar të përvjetorit të 47 të Revolucionit Bolshevik. Vëzhguesit diplomatikë thanë se bisedimet Çu En Lai-Brezhnjev, me sa duket, kishin dashur të fshihnin mosmarrëveshjet mes tyre për hir të unitetit të komunizmit. Kremlini bëri edhe një herë tjetër sot thirrje për forcimin e unitetit komunist, por ripohoi në një editorial në gazetën “Pravda” se ata janë ende të gatshëm që të përmirësojnë marrëdhëniet me Perëndimin.

Bisedimet Kohler-Gromiko

Në një tjetër seri takimesh, ambasadori amerikan në Moskë, Foi. D. Kohler konfirmoi se ai kishte biseduar me ministrin e Jashtëm sovjetik, Andrei Gromiko, për një gamë të gjerë problemesh ndërkombëtare që shqetësojnë sot botën. Takimi u përshkrua si një bashkëbisedim rutinë përpara se Kohleri të fluturojë drejt Uashingtonit javën e ardhshme për një vizitë të shkurtër. “Tass”-i konfirmoi nga ana tjetër se Presidenti amerikan, Xhonson, i kishte dërguar Kosiginit dhe Mikojanit një mesazh falënderimi ndaj urimeve të këtyre të fundit për zgjedhjen e tij, ku i shprehte besimin e tij se ata do të kishin bisedime të suksesshme për hapat e mëtejshëm të sigurimit të paqes. Një zëdhënës për gazetën komuniste “Pravda” deklaroi se Paval A. Satjukov, një nga ish-ndihmësit më të afërt të Sekretarit të Partisë, Hrushovit, ishte shkarkuar si kryeredaktor dhe ishte zëvendësuar nga Aleksi M. Rumjantsev, ish-kryeredaktor i botimit të bllokut sovjetik, “Problemet e Paqes dhe Socializmit”. Ndërkohë, organi i Partisë së Punës të Shqipërisë, “Zëri i popullit” u deklarua me vendosmëri në kundërshtim me politikën e Kremlinit në parim dhe e quajti udhëheqjen e re sovjetike ende “revizioniste”. Shqipëria mbështet fuqimisht Kinën në këtë luftë ideologjike. Tetë muaj më parë, delegacioni qeveritar dhe partiak kinez, i kryesuar nga Kryeministri Çu En Lai, pati një vizitë 10-ditore në Shqipëri e kjo u konsiderua një fyerje e bërë me qëllim dhe provokim ndaj “revizionistëve modernë”, veçanërisht për Nikita Hrushovin dhe Josif Broz Titon. Kjo shenjë e dukshme e prezencës kineze në Evropën Lindore dhe mosbindja sfiduese e Moskës nga regjimi shqiptar, e ka përqendruar kryesisht vëmendjen në atë çka është në fund të fundit qëllimi kryesor i udhëtimit afrikan të Çusë, minimi diplomatik i Bashkimit Sovjetik dhe në lëvizjen ndërkombëtare komuniste. Të vetëdijshëm për pozicionin e tyre të izoluar, udhëheqësit shqiptarë i bënë një propagandë shumë të madhe vizitës dhe fjalimeve që Kryeministri kinez mbajti gjatë ndalesave të ndryshme në të gjithë vendin. Gjatë vizitës, pati një vetëpërmbajtje të konsiderueshme nga të dyja palët që të mos e sulmonin Hrushovin me emër, diçka që ndodh pothuajse çdo ditë në Shqipëri. Sidoqoftë, akuzat indirekte kundër udhëheqësit sovjetik, nuk ishin as të shpeshta, por as edhe të tepruara. Sulmet më të forta u drejtuan kundër Jugosllavisë.
Ky lajm është publikuar: 05/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›