E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama fton biznesin e vogël në protestë

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka ftuar bizneset e vogla të dalin sot në protestë para Kryeministrisë për të kundërshtuar ligjin e ri te taksave që i klasifikon ata si biznes i madh. Në kuadër të rifillimit të fazës së dytë të protestave pritet të jetë dhe ky reagim i drejtuesve vendorë të PS-së, i cili do të përqendrohet tek problemet e biznesit. Riklasifikimi jo vetëm që do të shtojë TVSH-në dhe do të rrisë tatimin mbi fitimin, por do ti detyrojë të rrisin çmimet, të rrisin numrin e punëtorëve, të ndryshojnë pagat e punëtorëve, çka sipas kryetarit të Bashkisë i detyron ata të shkojnë drejt falimentit. “Biznesi i vogël kërcënohet nga një falimentim masiv në janar për shkak të një mase, që është kundër Kushtetutës dhe kundër ligjit për autonominë vendore, që kalon të gjithë biznesin me xhiro mbi 5 mln lekë në vit me TVSH dhe tatim fitimi njësoj si të ishte biznes i madh. Kemi bërë një përllogaritje dhe gjysma e këtyre biznesve do të falimentojnë drejtpërdrejt dhe vetëm pak kanë shans për të mbijetuar. Me ato pak biznese që do të ekzistojnë do të rriten çmimet dhe fatura e shtrenjtë shkon për qytetarët e thjeshtë”, - u shpreh Rama. Në ftesën shpërndarë bizneseve thuhet se Berisha vendos çdo ditë gjoba arbitrare ndaj biznesit të vogël, për të mbushur gropën e zezë të buxhetit të shtetit, duke çuar drejt falimentit 3200 biznese dhe po aq familje drejt skamjes. Protesta kundër vendimit të qeverisë për decentralizimin e pushtetit vendor, kalimin e biznesit të vogël në atë të madh, si dhe për mosakordim të fondeve që i takojnë bashkisë janë zhvilluar gjatë ditës së mërkurë në disa qytete, si në Berat, Patos dhe Korçë. Sipas bashkiakëve socialistë këto vendime cenojnë autonominë e pushtetit vendor.
Ky lajm është publikuar: 05/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›