Prishtina është problemi i rajonit, jo Beogradi
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, ka paralajmëruar se në mbledhjen e sotshme të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, që mbahet në Vjenë, do të theksojë faktin se marrëdhëniet në rajon janë përmirësuar në mënyrë drastike, por edhe se “ekziston edhe vetëm një çështje serioze, e hapur dhe e pazgjidhur dhe kjo është çështja e statusit të ardhshëm të Kosovës”, bën të ditur Tanjug. “Nëse Serbia ka marrëdhënie të mira me të gjithë në rajon e ky është problemi i vetëm, atëherë është e qartë se problemi nuk është Serbia, por autoritetet e përkohshme të Prishtinës, është shprehur Vuk Jeremiç, duke marrë pjesë në një emision të televizionit serb “Pink”. Shefi i diplomacisë serbe ka theksuar se Serbia ka përpara “sfidën e madhe, që është vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe gjithë ajo që do të pasojë më vonë”. “Kemi qëllim të planifikuar qartë dhe politikë të qartë, nuk ka lëshime, nuk ka tërheqje dhe ndryshim të politikës”, theksoi Jeremiç. Ai shtoi se Serbia është e gatshme “për biseda racionale me çdokënd” dhe që të shqyrtojë “çfarëdo propozimi të arsyeshëm”, por “vija e kuq mbetet e shënuar me Kushtetutën e Serbisë dhe vullnetin politik të shumicës së qytetarëve të këtij vendi”. Ky do të jetë mesazhi im kryesor në Vjenë”, ka thënë Jeremiç për TV “Pink”, të cilin sot e transmetoi Tanjug.
#