Prishtina forcon kreun
Ekipi i Afrim Tovërlanit dominoi plotësisht gjatë pjesës së parë të ndeshjes, të cilën e fitoi me rezultat 1:0, me golin e bukur që e ka shënuar Azem Ahmeti në minutën e 12-të.
Por, skuadra e Arbnor Morinës në pjesën e dytë hyri dukshëm më e këndellur dhe në saje të kësaj, gjilanasit ia dolën t’i barazojnë shifrat në 1:1 në minutën e 56-të me golin e Betim Sylës, që e shënoi me kokë.
Mirëpo, vetëm disa minuta Drita i bëri ballë Prishtinës, e cila pas golit të pësuar përpiqej ta kthente avantazhin. Këtë prishtinasit e arritën në minutën e 72-të, kur Besnik Krasniqi shënoi gol me kokë për rezultat 2:1, me të cilin rezultat edhe ka përfunduar takimi, ngase vendasit e ruajtën avantazhin, derisa mysafirët nuk ia dolën ta shënojnë golin e barazimit që e kërkonin.
Kjo është humbja e tretë rresht e Dritës, e cila konfirmon se ky ekip është në krizë të formës. Ndërsa, Prishtina tani i ka 33 pikë dhe i prinë renditjes tabelore, me pesë pikë më shumë sesa ndjekësi kryesor i saj Trepça ’89, e cila të enjten luan ndaj Llamkos Kosovës.
Trepça – Lira 3:1
Trepça e ka mposhtur Lirinë me rezultat 3:1, duke i mbajtur gjallë shpresat që në sezonin pranveror t’ia mësyjë luftës për titull të kampionit. Fitoren ‘Xehetarëve’ ia kanë siguruar golat që i shënuan Arben Zhjeqi në minutën e 6-të, Shpëtim Babaj në minutën e 21-të dhe Enis Zabërxha në minutën e 90-të. Ndërsa, Agron Skeraj në minutën e 13-të e ka realizuar golin e vetëm për Lirinë, e cila me këtë humbje thellohet në krizë akoma më të madhe. Duhet theksuar se nga minuta e 82-të prizrenasit kanë luajtur pa Brandon e ndëshkuar me karton të kuq.
Hajvalia – Hysi 2:0
Hajvalia ka vazhduar me paraqitje të mira në shtëpi. Ekipi i Emin Bajramit i ka fituar tri pikë të reja, duke e mposhtur Hysin me rezultat 2:0. Hero i Hajvalisë ishte Fillim Guraziu, i cili i realizoi të dy golat e fitores për ekipin e tij. Njërin gol ai e shënoi në minutën e 11-të, kurse tjetrin në minutën e 26-të. Kështu, me 24 pikë, Hajvalia e lë prapa vetës Hysin, që i ka tri pikë më pak.
Ferronikeli – Besa 1:0
Ferronikeli e ka regjistruar një fitore të madhe. Ekipi i Ramiz Krasniqit e ka mposhtur Besën me rezultat minimal 1:0 dhe ka ndërprerë serinë pozitive të saj. Golin e vetëm dhe të fitores për ekipin nga Drenasi e ka shënuar në minutën e 27-të mbrojtësi anësor Fidan Gërbeshi.
Vëllaznimi – Drenica 1:0
Vëllaznimi më në fund u është kthyer fitoreve. Gjakovarët e thelluan në krizë edhe më të madhe Drenicën, të cilën e mposhtën me rezultat minimal 1:0. Golin e vetëm dhe të fitores për kuqezinjtë e ka shënuar kapiteni Atdhe Gashi në minutën e 70-të nga gjuajtja e lirë. Kështu, Vëllaznimi tani është ngjitur në kuotën e 17 pikëve, derisa katër më pak i ka Drenica, që nuk di për fitore që nga xhiroja e parë.
Tabela
1. Prishtina 16 13 33
2. Trepça ’89 15 12 28
3. Trepça 16 7 27
4. Hajvalia 16 2 24
5. Drita 16 0 23
6. Ferronikeli 16 -4 22
7. Hysi 16 0 21
8. Besa 16 -10 18
9. Vëllaznimi 16 -3 17
10. Kosova (V) 15 -5 15
11. Drenica 16 -4 13
12. Liria 16 -9 13