E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtinë- Beograd, nesër dialogu, Tahiri në Bruksel

BRUKSEL- Në Bruksel nis nesër raundi i gjashtë i dialogut teknik midis Prishtinës dhe Beogradit. Në axhendën e bisedimeve pritet të jenë pesë çështje: njohja e vulave të Doganave të Kosovës, telekomunikacioni, energjia, kadastrat dhe bashkëpunimin rajonal. Përpara palëve pritet të prezantohet propozimi konkret i BE-së: vula e përgatitur në të cilën do të shkruante “Dogana e Kosovës”, por pa kurrfarë embleme, flamuri ose steme.

shkruan gazeta e Beogradit “Veçernje novosti”, duke iu referuar burimeve të besueshme diplomatike brenda BE-së.

Sipas Bashkimit Europian, kështu mund të arrihet kompromisi, pasi të dyja palët emërtimin mund ta interpretojnë në mënyrën e vet. Për Serbinë kjo do të ishte “dogana e krahinës jugore të Kosovës”, ndërsa për shqiptarët “dogana e shtetit të pavarur të Kosovës”.

Gazeta citon burimin e saj nga Brukseli, i cili pohon se “në propozimin e vulës nuk shkruan ‘republika’, as që në të gjendet çfarëdo embleme, flamuri, apo steme e Kosovës”.

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, ka udhëtuar sot drejt Brukselit. Ndërkohë që shefi i ekipit serb Borko Stefanoviç ka thënë po për këtë gazetë se për Serbinë është e pranueshme vetëm ajo zgjidhje e cila do të ishte neutrale ndaj statusit dhe në pajtim me rezolutën 1244.

Burimi i gazetës Serbe nga Brukseli thotë se “zgjidhjen ideore” ua kanë dërguar të gjithëve. “UNMIK-u në parim e ka pranuar, si neutrale ndaj statusit. Me të, ndonëse jo me dëshirë, paraprakisht është pajtuar edhe Prishtina, andaj presim që zgjidhja e tillë të jetë e pranueshme edhe për Beogradin”, thotë sipas gazetës, burimi nga Brukseli.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›