Prisnin pyjet, kapen në flagrancë 4 të rinj
Korçë- Ndjekje penale për autorët që presin pyjet, ndalohen në flagrancë katër të rinj në Pogradec, vetëm brenda një nate. Fundjava duket se është momenti më i favorshëm kur policia e shtetit të godasë dëmtuesit dhe shkaktarët e prerjes së paligjshme të pyjeve në juglindje. Nga burimet zyrtare të policisë së Korçës mësohet se ka nisur hetimet për plot 4 shtetas, të gjithë nga rrethi i Pogradecit, të cilët akuzohen për prerje të paligjshme të pyjeve. Personat e ndaluar janë kapur duke transportuar lënë drusore, pa dokumentacionin dhe gjithashtu pa lejen e organeve kompetente. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të policisë lokale, mësohet se i pari është ndaluar shtetasi Aldi Penguli, 30 vjeç, banues në fshatin Leshnicë të rrethit të Pogradecit. Penguli u kap në flagrancë në fshatin Memelisht të po këtij rrethi, duke transportuar dru zjarri pa dokumentacionin përkatës në aksin Qafë-Thanë-Pogradec. Ai udhëtonte me kamionin e tij me targë PG 0954 B. Në të njëjtën ditë ka nisur procedimi dhe ndaj tre personave të tjerë. Nertil Molla, 20 vjeç; Lorenc Molla, 30 vjeç; dhe Dritan Lushka, 24 vjeç; të tre banues fshatin Buçimas të Pogradecit. Ata janë ndaluar në hyrje të qytetit liqenor, teksa transportonin lëndë drusore, pa dokumentacionin përkatës. Të tre personat ishin në drejtim të nga një mjeti, tip kamion. Sasia e druve në makinat e tyre ka qenë e konsiderueshme, ndërsa ato porsa ishin prerë nga pyjet e zonës së Mokrës në Pogradec. Fenomeni i prerjes së pyjeve gjatë kësaj periudhe ka një përhapje të gjerë në juglindje, ndërsa nga ana e saj policia në Drejtorinë e Policisë në Korçë ka hartuar një plan masash për të evituar prerjen e masivëve pyjorë si dhe ndalimin e autorëve të këtij aktiviteti që po merr përmasa të frikshme në qarkun juglindor të vendit. Irena Vreto