E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri shkrumbon qindra hektarë me pyje

Devoll Një zjarr me përmasa të mëdha ka pushtuar pyjet në kufirin Shqipëri-Greqi në rrethin e Devollit. Zjarri është regjistruar gjatë pasdites të të hënës, ndërsa forca të shumta të policisë, mjete zjarrfikëse, por dhe ndihma e ushtrisë bashkë me banorët e zonës, janë të gjithë në alarm të plotë, por dhe duke punuar për të mbyllur vatrën e tij. Zjarret i rikthehen frikshëm juglindjes në këtë fund gushti, ku pas zjarreve në malin e Moravës, pyjet në Devoll tashmë janë nën flakë. Një zjarr i fuqishëm ka nisur rreth orës 15:40 të të hënës në pyllin e Mirasit dhe atë të Vidohës, në rrethin e Devollit. Burime të policisë lokale nga vendngjarja bëjnë me dije se vatra e zjarrit që është ndezur duket se është duke u zgjeruar me shpejtësi të madhe, ndërkohë që raportohet se era për fat të keq po favorizon përhapjen e flakëve në të gjithë zonën e Devollit të Sipërm. Forca të shumta zjarrfikësish kanë mbërritur në vendngjarje nga Korça dhe Pogradeci dhe po tentojnë të neutralizojnë zjarrin dhe të shuajnë flakët, në mënyrë që ai të mos shkaktojë dëme, ndërkohë që terreni i thyer malor e bën më të vështirë punën e tyre. Zjarret në zonën e Devollit të Sipërm janë në pyjet vetëm pak metra larg kufirit me shtetin fqinj Greqi. Madje për situatën alarmante është njoftuar me urgjencë edhe pala greke, për të patur nën kontroll flakët e zjarrit në anën e saj, në rast se era e përhap zjarrin edhe në këtë pjesë. Duke iu referuar të dhënave të para nga Shtabi i Emergjencave Civile pranë prefekturës së Korçës, mësohet se dy zjarret në dy vatrat e fundit në Devoll janë ndër më të mëdhenjtë e kësaj stine vere, ndërsa është herët të flitet për shkaqet e këtij zjarri që dyshohet të jenë të qëllimshme. Ndërkaq mësohet se në rast se ritmi i flakëve nuk ulet, do të kërkohet ndihmë nga shteti grek për të dërguar helikopterë që të ndërhyjnë nga ajri për përhapjen e mëtejshme të flakëve të zjarreve në Miras dhe Vidohovë, pyjet e të cilave ndodhen vetëm pak metra larg Greqisë. MAT Mbi 5 hektarë me pyje të lartë janë përfshirë ditët e fundit nga zjarret në rrethin e Matit. Mesnatën e të dielës në masivin e Balgjajt janë shfaqur dy vatra të rrezikshme zjarri. “Nuk dihen shkaqet e rënies së këtyre zjarreve, por mësohet se të paktën pesë hektarë me pisha e ah janë djegur dhe sipërfaqe të tjera po digjen, pasi terreni mjaft i thyer nuk lejon ndërhyrjen e ushtrisë, policisë, banorëve të zonës dhe punëtorët e shërbimit pyjor. Këto janë zjarret e para në pyjet e lartë të Matit, mirëpo shuarja e tyre duket mjaft e vështirë. I.V/P.H

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›