E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritja e Elizës në Tiranë

Aktorja shqiptaro-amerikane, Eliza Dushku ka ardhur përsëri në Shqipëri. Do të krijojë një dokumentar për bukuritë natyrore shqiptare. Kërkoi dhe e mori shtetësinë e Shqipërisë. Por, për çudi, vizita e saj u politizua. Nga Express më 10 gusht 2011 në ora 18:05

Eliza Dushku, zyrtarisht është shqiptare. Pasi erdhi në Tiranë më 6 gusht, aktorja është takuar me një mori fytyrash publike të Shqipërisë, ndërkaq të parët kanë qenë kryebashkiaku i ri i Tiranës, Lulzim Basha, përderisa aktorja kishte thënë publikisht se e dëshiron edhe shtetësinë e Shqipërisë.

Këtë ajo e ka marrë të martën gjatë një takimi që e ka pasur me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, i cili e ka vlerësuar lart veprën artistike të aktores. Topi, pasi ka lavdëruar aktoren, ka nënshkruar dekretin për dhënien e shtetësisë shqiptare duke ia dorëzuar artistes pas kërkesës së bërë nga vetë artistja Dushku.

Presidenti shqiptar tha se vizita e aktores në Shqipëri është pjesë e atij mesazhi pozitiv që flet për Shqipërinë dhe shqiptarët si një popull vital, me tradita të hershme e kulturë të lashtë, me dëshirën dhe përkushtimin për të ecur përpara me vendosmëri e dinjitet. Dushku ka ardhur në Tiranë që disa vite dhe ka thënë se është duke punuar edhe në realizimin e një dokumentari për Shqipërinë, që ka për synim promovimin e turizmit shqiptar në botë.

Bashkë më të është edhe fotografi Fadil Berisha dhe aktori Blerim Destani. Aktorja ka thënë se ajo do të vizitojë qytetet kryesore shqiptare, ndërkaq i pari do të jetë qyteti i Korçës, qytet ky nga e ka prejardhjen aktorja.

Ia politizojnë vizitën

Mediat në Shqipëri nuk e kanë kursyer as aktoren e Hollywoodit nga politika. Qysh në ardhjen e saj, pavarësisht roleve të saj në shumë filma të Hollywoodit, famës së saj dhe vizitë qëllimmirë të aktores, disa media kanë tentuar, duke mos i dhënë as hapësirë të madhe në lajmet për të. Sherri ishte prapë politik.

Disa media, të afërta me selinë rozë të Partisë Socialiste të Shqipërisë, që udhëhiqet nga Edi Rama, nuk kanë folur aspak për vizitën e aktores. Mediat si Top Channel, Shqip, Shekulli e Tema janë disa nga mediat, të cilat nuk kanë shkruar asnjë lajm për aktoren vetëm për faktin që ajo për herë të parë vizitoi Lulzim Bashën.

Por, ndryshe ka ndodhur me mediat si Klan, ABC News, Koha Jonë, Panorama, të cilat i kanë thurur elozhe aktores. Dushku edhe më parë kishte vizituar Shqipërinë, ku ishte takuar me personalitet shqiptare atje, pavarësisht përkatësisë së partive politike të tyre.

Edhe në Kosovë

Ndërkohë, Dushku pritet që të vizitojë edhe Kosovën.

Megjithatë, ende nuk dihet se cilat qytete do t’i vizitojë ajo, por ajo e ka paralajmëruar vizitën e saj përderisa sipas të gjitha gjasave, ajo do të vizitojë qytetet kryesore kosovare, të cilat do t’i përfshijë në agjendën e saj.

Aktorja, normalisht pritet që të takohet edhe me liderë vendorë, por ende nuk dihet se me cilët dhe a do të kërkojë edhe shtetësinë kosovare. Dushku, në një komunikatë që e ka publikuar edhe me parë, ka thënë se qëllimi i saj është krijimi i këtij dokumentari që synim ka promovimin e kulturës dhe bukurive natyrore të të gjitha trojeve shqiptare.

Në dokumentarin e saj, po ashtu do të përfshihen edhe shqiptarë që kanë bërë karrierë ndërkombëtare. Tashmë ajo ka intervistuar Inva Mulën, ndërkaq pritet që të intervistojë edhe personalitete të tjera. Bashkë më të është edhe një ekip televiziv i një televizioni amerikan.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›