E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, kostoja e studimeve për fakultetet e dyta

10/08/2011  Tarifat për 294 programet që do të ofrojnë këtë cikël studimesh në 11 universitet publike

Zbardhen tarifat e studimeve që do të paguajnë kandidatët që duan të vijojnë studimet e larta si fakultete të dyta në programet që do të ofrohen për vitin e ardhshëm akademik në 11 universitetet publike të vendit. Në tabelën bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të plotë koston e studimeve që kandidatët duhet të paguajnë për degën në të cilën do të vijojnë studimet si fakultete të dyta. Tarifat më të larta edhe për këtë vit akademik për programet e dyta vijojnë t’i kenë universitetet e kryeqytetit: i Tiranës, Politekniku, Artet etj., të cilat njëherësh rezultojnë të jenë ende më të preferuara. Konkretisht për Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në kryeqytet tarifat e studimit për fakultet e dyta në të tria degët - Histori, Gjeografi e Gazetari - do të jetë 99370 lekë. Tarifat më të larta të studimeve do të jenë për degët e Fakultetit të Mjekësie, ku vetëm kostoja e degës së mjekësisë së përgjithshme arrin në 311925 lekë. Në tabelën bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të detajuara të gjitha kostot e studimeve të miratuara për vitin e ri akademik, që do të iniciojë në muajin tetor apo nëntor për fakultete e dyta. Sipas rregullores së përcaktuar për pranimet në 294 degët që do të ofrojnë këtë cikël, është përcaktuar se kandidatët që dëshirojnë të vijojnë studimet në një program të dytë studimi e fitojnë këtë të drejtë brenda numrit të kuotës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë për pranimet në një program të dytë studimi dhe pa iu nënshtruar detyrimeve të maturës shtetërore. Ndërkohë do të ketë kritere të veçanta pranimi për kandidatët që duan të ndjekin studimet pranë akademive, qofshin këto sportive apo artistike. Konkretisht, kandidatët që kërkojnë të studiojnë në një program të dytë studimi në Akademinë e Arteve, në Akademinë e Edukimit Fizik e Sporteve “Vojo Kushi” në Tiranë, në programin e studimit të ciklit të parë “Edukimi fizik dhe sporte” të universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës dhe të universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit në programin e studimit të ciklit të parë “Pedagogji e specializuar”, në universitetin e Vlorës dhe në programin e studimit “Arkitekturë” të Universitetit Politeknik të Tiranës, duhet të plotësojnë edhe kriteret e veçanta (konkurset e pranimit).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›