E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, lista e përfituese për ushtarakët

10/08/2011  Instituti i Sigurimeve Shoqërore detajon 117 emrat e rinj që i shtohen skemës së përfitimit

Krahas përfitimeve të parakohshme llogaritjet edhe për ato suplementare të pleqërisë

Zgjerohet më tej skema e përfitimeve për ish-ushtarakët. Gjatë ditës së djeshme organet e sigurimeve shoqërore kanë detajuar përfitimet e reja të lidhura për këtë shtesë gjatë javës së fundit. Bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të plotë listën emërore me 117 përfituesit e rij, të cilët mund t’u drejtohen qendrave të pagesave pranë ambienteve të banimit për të tërhequr pensionet që u takojnë. Ekspertët e sigurimeve bëjnë me dije se procesi i llogaritjes së përfitimeve për ish-ushtarakët do të vijojë edhe gjatë ditëve të ardhshme, teksa pritet një shtim i volumit të punës vetëm në nisje të muajit shtator. Megjithatë, për të pakënaqurit konfirmohet se ekziston edhe mundësia e animimit të masës së pensionit që u është caktuar nga organet e sigurimeve përkatëse shoqërore. Për këtë ata duhet të bëjnë një ankesë për rishikim të masës së pensionit pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Pas marrjes së kësaj ankese bëhet verifikimi edhe një herë i masës së caktuar. Në rast se edhe pas këtij verifikimi masa e pensionit mbetet në të njëjtën shifër të përcaktuar edhe gjatë raundit të parë, atëherë përfituesve nuk u mbetet gjë tjetër veçse t’u drejtohen organeve gjyqësore për gjetjen e një tjetër zgjidhje. Në total nga llogaritjet pritet të përfitojnë rreth 22 mijë ish-ushtarakë, të ndarë sipas shtresave përkatëse. Duke u mbështetur në formulën që përcakton ligji, llogaritja e pensionit është e thjeshtë për çdo përfitues. “Në zbatim të aktit normativ nr. 5, datë 10.11.2010, vjetërsia e shërbimit shumëzohet me 1,5 për qind dhe ajo që del shumëzohet me pagën neto mesatare referuese. Kjo shumë nuk mund të jetë më e vogël se një pension bazë.” Burimet zyrtare të ISSH-së rikonfirmojnë se procesi i llogaritjes pranë këtij institucioni bëhet brenda një kohe të shkurtër, përkatësish brenda 48 orëve nga koha e marrjes së përgjigjeve të kërkuara nga ministritë e linjës mbi të dhënat e aplikuesve. Në kërkesat dërguar ministrive sigurimet shoqërore kanë kërkuar prej tyre plotësimin e dy formularëve: një për vërtetimin e vjetërsisë së shërbimit dhe të pagës mesatare referuese dhe një për pagën referuese në muajin e lindjes të së drejtës për përfitim. Plotësimi dhe dorëzimi i këtyre të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes dhe strukturat e tjera komando që do t’i vijnë në mbrojtje, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe SHISH-i i hap udhë të menjëhershme procesit të llogaritjes së ndarjes së parave. Vetëm pas marrjes së formularëve të plotësuar sigurimet mund të bëjnë llogaritjen e masave të pensionit që do të jepet për secilën kategori.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›